Bashkimi Evropian ka paralajmëruar për mundësinë e taksimit të gjigantëve të teknologjisë amerikane, si Meta, Google dhe Facebook, nëse bisedimet me Presidentin Donald Trump për uljen e tarifave për mallrat evropiane dështojnë. Ky është plani që po përgatit unioni, sipas Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila bëri të ditur se BE është duke zhvilluar një sërë kundërmasash ndaj Shteteve të Bashkuara.

“Ne po zhvillojmë masa hakmarrëse, të cilat potencialisht përfshijnë taksimin e të ardhurave nga reklamat dixhitale të kompanive si Meta, Google dhe Facebook”, tha Von der Leyen. Ajo shtoi se ka një gamë të gjerë kundërmasash që mund të merren në rast se negociatat me Shtetet e Bashkuara nuk janë të kënaqshme.

Një ditë më parë, Bashkimi Evropian njoftoi se do të ndalonte tarifat hakmarrëse ndaj Shteteve të Bashkuara për 90 ditë, menjëherë pas vendimit të Trump për të pezulluar tarifat ndaj unionit dhe vendeve të tjera, përveç Kinës. Ky vendim vjen pas një periudhe tensioni mes dy palëve, që ka përfshirë disa grupe tarifash, si tarifa 25% për çelikun dhe aluminin, tarifa 25% për makinat, dhe një tarifë 20% “reciproke” për të gjitha mallrat e tjera.