I arrestuari në Belgjikë për vjedhje dhe vrasjen e biznesmenit grek Aleksandros Stamatiadis identifikohet si biznesmeni Genc Pepa. I arrestuari jetonte prej vitesh në Greqi dhe zyrtarisht aktivizohej si organizator koncertesh me këngëtarë shqiptarë për emigrantët.
Pas vjedhjes së përgjakshme të 2 prillit 2018, kur humbi jetën biznesmeni 52-vjeçar grek Stamatiadis, Genc Pepa dhe anëtarë të tjerë u larguan jashtë Greqisë. Operacioni për arrestimin e tyre u titullua “Derri i egër” dhe ka qenë pikërisht dobësia e Pepas për gjuetinë e derrave të egër dhe fotot në “Facebook” që kanë lehtësuar punën e policisë për identifikimin e tij dhe të bandës së hajdutëve.
Këto ditë pritet ekstradimi nga Brukseli në Athinë dhe identifikimi zyrtar me dëshminë e një tjetër familjeje greke që ra pre e hajdutëve po më 2 prill 2018.