Anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, përmes një deklarate ka kërkuar nga partnerët ndërkombëtarë, që të shqetësoheshin e të flisnin një herë të vetme për aferat korruptive të shekullit, të kryera nga Erion Veliaj dhe grupi i tij i strukturuar kriminal “5D”.

Në këtë kuadër, Këlliçi përmendi vjedhjen e 130 milionë eurove në inceneratorin e Tiranës që nuk ekziston, vjedhjen e 60 milionë eurove përmes depozitimit të dherave në landfillin e Sharrës dhe vjedhjen e të paktën 30 milionë eurove, përmes 45 tenderave të kryera nga shtabi i tij elektoral i 14 Majit 2023.

Sipas tij, pohimet e Erion Veliajt, kapos së bandës “5D” se është rakorduar me prokurorët e SPAK, dhe pohimi nëpërmjet heshtjes që po i bën Altin Dumani deklaratave të Veliajt, është një këmbanë alarmi për çdo qytetar shqiptar dhe partnerët ndërkombëtarë.

Gjithashtu, Këlliçi u shpreh se do të ishte mirë që ndërkombëtarët të shqetësohen për guximin që gjen Kryetari i Bashkisë Tiranë, për të urdhëruar publikisht Altin Dumanin dhe SPAK-un, për mënyrën sesi duhet të veprojnë ndaj tij.

Në përfundim të deklaratës, Këlliçi ftoi qytetarët e Tiranës, ditën e martë, më datë 30 Prill, ora 16:30, përpara monumentit të korrupsionit më të madh në Evropë, për ta çliruar Tiranën një hërë e mirë nga ky model vjedhjeje tashmë të kthyer në sistem.