Nga foltorja e Kuvendit, deputeti socialist Ben Blushi ka deklaruar qëndrimin e tij kundër ligjit të mbetjeve. Ai u shpreh se ky është një ligj i blerë, me të cilin nuk mbrohen interesat e qytetarëve, por ato të biznesit.

“Me këtë ligj çdo deputet do të shkruajë emrin e tij mbi një kazan plehrash”. Meritojnë që qytetarët t’ju hedhin plehrat mbi kokë deputetëve që e votojnë ligjin. Ndaj s’dua ta votoj sot këtë ligj”,-tha Blushi, duke shtuar se nuk do donte që emri i tij të shkruhej në një kazan plehrash.

PJESË NGA FJALIMI I BEN BLUSHIT SOT NË PARLAMENT
Sot rilindja ka marrë përsipër të votojë ligjin e PD që e shfuqizoi vetë në 2013. Kjo tregon fundin e një grupi të ndotur, që vetëm po i bëjnë keq Shqipërisë. Nesër kur ky ligj do të hyjë në fuqi, se ju do e votoni padyshim, qytetarët e Shqipërisë do të kalojnë mes plehrave. Po hiqni doganën dhe kufirin, për helmet dhe plehrat, që nga Europa do të vijnë në Shqipëri. Shfuqizoni një ligj që hap dyert për futjen e plehrave.

Ky është një ligj i blerë, i sponsorizuar, dhe nuk është për të hapur vende pune, as për të fuqizuar ligjin e riciklimit të mbetjeve. Rilindja ndërtoi tregun e ligjeve. Duke hequr kufijtë e helmeve që do të vijnë në Shqipëri me votën tuaj, do helmoni shëndetin e shoqërisë. Sa vatra kanceri do të hapen për shkak të shtimit të plehrave. Sa fëmijë si ai Arditi do të detyrohen të punojnë atje. Sa fëmijë do të kenë atë fat, të sëmurë ose të vrarë për fat të keq. Se fëmijët e të varfërve do të shkojnë të punojnë atje për fat të keq. Aty ka vetëm arsye tregu, dhe jo morale apo investimi.

Të gjithë thatë po këtij biznesi si do ia bëjmë? Ore po kë përfaqësoni ju këtu, bizneset apo qytetarët? Ky është vendi më i ndotur në Europë dhe ju doni ta ndotni akoma. Bilanci në vend është katastrofik për mjedisin duke menduar heqjen e kufijve për helmet që do hyjnë në vend. Kë mbron ky ligj, interesin publik apo privat. Padyshim interesin privat, dhe nuk mbron interesin publik që kërkon dete, liqene, lumenj të pastër.

Është e poshtër dhe kriminale. Çdo ditë duhet bërë kjo pyetje në Parlament: kush e qeveris Shqipërinë? Një grup biznesmenësh që dje ishin me PD e sot me PS. Ai grup biznesi hyn në kutinë e votimit, e po ai grup biznesi del nga kutitë me rezultatin.

Kush e qeveris Shqipërinë? Një grup biznesi që sjell ligje në Parlament. Dhe kjo fatkeqësisht është e vërtetë. Rilindja i hoqi kufijtë brenda PS për të futur mbetjen e vulgariteti, mbetjen e shoqërisë, dhe i bënë deputetë. Këto janë mbetje injorance, vulgariteti, dhe ato sot votojnë një ligj që lejojnë futjen e fundërrinave nga Europa në Shqipëri, ky është një manual, si të jetosh nëpër kazanë plehrash.

Këtë po u mësoni shqiptarëve. Këtu s’ka asnjë princip ekonomik, se principin moral e keni shkelur me këmbë.

Ata që ishin në atë biznes, edhe pse iu shfuqizua ligji, bënë investime për 3 vjet, dhe e dinin se sot do të vinin në këtë ditë për të blerë ligjin. Po edhe këta kultivuesit e kanabisit kanë investuar, pse mos kërkojnë dhe ata legalizimin e aktivitetit. A do të bëni është këtë? Në fakt shumë afër keni qenë.

Shqipëria është vendi më i ndotur në Europë, edhe pse nuk më vjen mirë ta them, është kështu. Vetëm 20 % e mbetjeve riciklohen.

Qëllimi i ligjit nuk është për të mbajtur industrinë riciklimet me mbetjet tona, por që të sjellë mbetjet e Europës. Pasi ky është territor pa shtet, territor pa ligj, është territor me Arditë që punojnë pa kërkuar shumë lekë. Edhe aty kanë Arditë, por nuk i çojnë në landfille si të Sharrës.

Nëse një biznes riciklimi do të funksionojë pse nuk është i interesuar të marrë mbetjet tona e t’i çojnë në Itali, Gjermani, e t’i riciklojnë atje, po ata nuk duan të ndotin vendet e tyre me plehrat tona.

A dini ndonjë vend në Ballkan që ka një ligj për hapjen e kufijve për plehrat e të tjerëve. A do të kalonte Mali i Zi apo Kroacia këtë ligj? Absolutisht jo, janë vende që jetojnë me turizëm, kur kanë një bregdet të ngjashëm me tonin.

Nëse fitojmë një lek me hapjen e tregut, do të humbim 10 lek, se do rritet kostoja e shëndetit, kostoja e ilaçeve.

Është një mashtrim që nuk duhet të kalojë. dhe ky parlament do të mbajë një mëkat shumë të madh nëse e kalon sot.

Pse sa herë bota kërkon të heqë një material të padobishëm Shqipëria del e para në listë. Kështu ndodhi me plehrat kimike, me muxhahedinët, me të burgosurit e Guantanamos, tani edhe me plehrat. Pse çdo gjë të tillë duhet të sillet në Shqipëri?

Jemi të parët në listë kur vjen puna për t;’u kthyer në një kosh mbeturinash të ngjashme.
Secilit prej jush do t’u shkruhet emri në një kazan plehrash. Por unë nuk mund ta votoj këtë ligj, sepse nuk dua që emri im të shkruhet në një kosh plehrash.