Sulmuesi Karim Benzema u transferua zyrtarisht dje në Arabinë Saudite. Francezi i cili është dhe fituesi aktual i “Topit të Artë” ka firmosur me klubin Al-Itihad, që është kampioni në fuqi dhe klubi rival i Kristiano Ronaldos dhe Al-Nassr. Pas nënshkrimit të kontratës deri në vitin 2026, ai deklaroi se:

“Mezi pres të përjetoj një ligë të re në një vend tjetër. Al-Itihad ka një histori të jashtëzakonshme, tifozë tepër pasionantë dhe ambicie të mëdha futbolli për t’u bërë një forcë në Azi pas fitores. Kam patur shansin për të arritur gjëra të jashtëzakonshme në karrierën time dhe për të arritur gjithçka që munda në Spanjë dhe në Europë. Mendoj se ka ardhur koha për një sfidë të re, për të realizuar një projekt të ri.

Sa herë që kam vizituar Arabinë Saudite, gjithmonë kam ndjerë kaq shumë ngrohtësi dhe dashuri nga tifozët dhe njerëzit. Mezi pres të bashkohem me shokët e mi të rinj. Është një sfidë e re për mua, një jetë e re dhe mezi pres të filloj stërvitjen. Do të bëj gjithçka për të fituar trofe, për të shënuar, për të treguar talentin tim, për të kënaqur tifozët, klubin, presidentin, të gjithë. Është një ligë e mirë dhe ka shumë lojtarë të mirë. Kristiano Ronaldo është tashmë ketu, një mik që tregon se Arabia Saudite po fillon të rritet. Unë jam këtu për të fituar, siç bëra në Europë”, deklaroi ai.