Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha denoncoi sërish krijimin e kompanisë Albanian Digital Solutions (ADS), të cilën e cilëson si një strukturë të ngritur pa bazë të plotë ligjore dhe pa mekanizma kontrolli.
Në daljen e sotme për mediat, Berisha tha se për ngritjen e ADS-së nuk është miratuar një vendim i plotë i Këshillit të Ministrave që të përcaktojë qartë kompetencat, objektin e veprimtarisë dhe mënyrën e kontrollit të saj.
Ai theksoi se i vetmi akt i qeverisë lidhet me miratimin e një fondi prej 7 milionë eurosh, pa sqaruar kushtet e përdorimit të tij.
“Për ADS-në nuk ka asnjë ligj dhe vendim qeverie që të përcaktojë veprimtarinë e saj. VKM nuk përcakton objektin e veprimtarisë, nuk krijon shoqërinë, nuk miraton statutin, nuk përcakton kompetencat, nuk shpjegon marrëdhënien me AKSHI-n. Asgjë”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se statuti i kompanisë i jep asaj të drejtë të veprojë gjerësisht, përfshirë krijimin e shoqërive të reja dhe pjesëmarrjen në kapitalin e shoqërive të tjera, çka sipas tij krijon hapësira të pakufizuara veprimi.
Berisha e krahasoi këtë model me rastin e kompanisë KAYO, duke pretenduar se në të dy rastet kapitali shtetëror kanalizohet pa tender dhe pa mekanizma të qartë kontrolli.
“Kjo pra ka autoritet të veprojë në mënyrë të pavarur pa pasur asnjë bazë ligjore. Kjo kompani shtetërore i lejon vetes të përcaktojë pa kufi veprimtaritë e saj. Kjo pikë e nenit të statutit të kësaj shoqërie është thuajse e njëjtë me nenin 3 dhe është marrë nga statuti i shoqërisë KAYO, të cilës i është dhënë e drejta të kanalizojë kapitalin shtetëror tek privatët pa tenderim.
E kuptoni ju mënyrat që ka gjetur Edi Rama të vjedhë tani? Merr këto paratë, çoji në bankat offshore. Këto janë monstruozitet të paimagjinueshme. Pare të shtetit, pare të taksapaguesve. Jashtë tenderit.
Por ama në rastin KAYO, firmën e hidhte kryeministri për firmat që do ishin partnere, ndërsa në rastin e AKSHI-t, ky vendim i mbetet tërësisht në dorë aksionarit kryesor, famëziut Igli Tafaj, ish-shef mafioz i sigurisë kibernetike, i implikuar gjer në vesh me Ergys Agasin, Ermal Beqirin, Lindat e AKSHI-t dhe Surrelit.”, tha Berisha.





