Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë një deklaratë të fortë për kryetarin e komanduar të PD-së, Enkelejd Alibeaj se ka fshehur dënimin e vëllait të tij në një nga vendet e Europës.

Gjatë konferencës për shtyp me gazetarët, Berisha tha se për shkak të problemeve të vëllait, Rama po mban peng Alibeajn.

Berisha: Përçarja e opozitës është pengmarrje, ndaj duhet t’i quajmë gjërat siç janë. Lulzim Basha është i marrë peng me dosjen e larjes së 700 mijë dollarëve.

Ju e dëgjuat raportin, ato nuk kanë lidhje me PD-në, ato janë transaksione të Bashës. Raportet e CIA-s thonë që janë para ruse. Lulzim Basha është peng edhe i aferave të tjera. Zinxhiri i aferave të tij është i gjatë.

Enkelejd Alibeaj ka fshehur të vëllanë e tij kriminel, që është arrestuar për rrëmbimin me armë në vendet e BE dhe sot nuk dihet se ku është. Ndan të fshehtat me Edi Ramën.
Ndaj dhe mbahet peng. Për këto rekorde kriminale mund të mos zgjidhej deputet, partnerja e tij mund të mos zgjidhej në gjykatë.Por ia kanë mbyllur dhe e mbajnë peng dhe e shëtisin.

Kjo nuk është përçarje, është pengmarrje. Unë i përgëzoj të gjithë ata që u larguan. Geni i tyre për pluralizmin i shtyu që të largohen ndaj këtij aventurieri. Ndaj të dyve. Mos mendoni se Basha ka vetëm akuzën e parave. Ka edhe të tjera.

Sigurisht ndikon në tërësi, të gjitha këto ndikojnë. Vrasjet ndikojnë, sulmet me armë ndaj Top Channel ndikojnë. Se çfarë sigurie ka këtu.
Prandaj opozita po bën thirrje që të firmosim ndryshimin më 14 maj.