Paraditen e sotme, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi Durrës, së bashku me Ndërmarrjen Rruga kanë nisur një tjetër ndërhyrje në magazinën, që pasditen e së enjtes u përfshi nga flakët.
Me ndihmën e një ekskavatori u bë e mundur ndërhyrja në vendngjarje për të depërtuar deri në vatrat që mbeten aktive edhe pas 5 ditësh.
Nga magazina që kishte materiale plastike dhe mjete piroteknike vijojnë ende të ngrihen në ajër shtëllunga tymi, ndërsa një mjet zjarrfikës qëndron i stacionuar aty qé nga dita e parë për të pasur situatën nën kontroll, sepse herë pas here aktivizohen zjarre në sipërfaqe të vogla.
Sipas drejtorit të MZSH-së, Shkëlqim Troplini, ndërhyrja e sotme ka për qëllim shuarjen e plotë të vatrave të zjarrit në magazinën e shkrumbuar nga flakët.
Për shkak të temperaturave të larta të këtyre ditëve, rreziku për zjarre në sipërfaqe pyjore, bujqësore por edhe pranë zonave të banuara mbetet i madh dhe drejtori Troplini bën të ditur se efektivët e zjarrfikëses janë në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë në kohë rekord, sapo marrin njoftimet përkatëse.
Zjarri në magazinën e fishekzjarreve në Shkozet vijoi për orë të tëra gjatë pasdites dhe mbrëmjes së të enjtes dhe ai u vu nën kontroll vetëm në orët e para të së premtes.
Deri më tani, nuk ka një shkak zyrtar për zjarrin, pasi ekspertiza nuk është kryer ende nga specialistët, ndërkohë policia e Durrësit ka arrestuar 38-vjeçarin me iniciale A. N., i cili ndezi zjarr për djegien e barishteve, por flakët dolën jashtë kontrollit dhe përfshinë magazinën.
M.B.





