Kreu i demokratëve Sali Berisha, e nisi konferencën e kësaj të mërkure me akuza kundër qeverisë së Edi Ramës, duke iu referuar objekteve që sipas tij janë në pritje për t’u ndërtuar në jug të vendit.

Sipas Berishës, investitorët kanë dritëhije, ose janë trafikantë drogë që mbështeten nga qeveria. Prandaj ai iu drejtua me një thirrje organeve të drejtësisë dhe institucioneve ligj zbatuese ndërkombëtare duke iu bërë thirrje që të bëjnë një hetim të thelluar të të gjitha atyre kompanive të cilat sipas tij kanë mbështetjen e qeverisë për të investuar në Shqipëri.

Berisha ka hedhur akuza ndaj qeverisë për projekte të reja në jug të vendit, ai shtoi se kryeministri Rama ka projektuar 523 resorte e hotele në zonat turistike.

“Edi Rama e trajton Shqipërinë si një sulltanat të tij, si një pronë private dhe regjimin e tij si një regjim kolonial ndaj shqiptarëve. Mediat kanë zbuluar librin famëzi Dosja, në të cilin Edi Rama ka projektuar 523 resorte, hotele, zhvillime në zonat turistike. Nga të cilat, njëlloj si të ishte pronë e tij, përjashton tërë këtë infrastrukturë gjigante 10 vite nga taksat. Ky është sistem tipik kolonial.

Nuk ka asgjë të përbashkët me ligjin themelor të shtetit, Kushtetutën, por edhe ligjin ndërkombëtar të investimeve. Të imagjinosh zhvillimin e dhjetëra dhjetëra milionë metër katror troje të zonave më turistike, si butikët në aeroport pa taksa, do të thotë të vendosësh atë sistem nga i cili njerëzimi është ndarë prej kohësh.

Shqipëria është nga më të paktat vende në punë ku miliarderët vijnë dhe marrin miliona litra naftë me një të katërtën e çmimit që blen fermeri shqiptar. Dhe tani në librin e tij, Edi Rama, të mbajtur sekret ndaj shqiptarëve, të papublikuar ndonjëherë, rreshton 523 projekte për zhvillim, ndërtim në të katër anët e vendit”, tha Berisha.