Kryeministri Berisha, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike, ishte pasditen e së premtes në bashkinë Sukth, ku mori pjesë në një takim me të rinjtë e degës së PD-së në këtë njësi të pushtetit vendor. Gjatë këtij takimi, 430 të rinj e të reja u bënë anëtarë të Partisë Demokratike. Duke u dorëzuar kartat e anëtarësimit, kryeministri Berisha vlerësoi vendimin e marrë prej tyre për t’u bërë veprimtarë politik të Partisë Demokratike.

Meqënëse jemi në atmosferën e muajit nëntor, që këtë vit përkon me 100 vjetorin e pavarësisë Berisha nënvizoi se në këto 20 vite pluralizëm politik PD ka bërë shumë për zhvillimin e vendit dhe rritjen e mirëqënies së qytetarëve. “Në 100 vjetorin e pavarësisë së vendit ju bashkoheni me partinë e lirisë, partinë e të drejtave njerëzore, parti e cila në 20 vite ka bërë më shumë se në të gjitha kohërat në ndërtimin zhvillimin e këtij vendi, ndërtimin e mirëqenies së qytetarëve shqiptarë. Në këtë 100 vjetor, ne duhet të përulemi me nderimin më të madh para qindra e mijërave martirëve të këtij vendi, të cilët ranë e luftuan, bënë çdo sakrificë në mënyrë që ne të mblidhemi së bashku të lirë dhe me dinjitet në këtë shesh”,- tha kryeministri.

Gjatë takimit me të rinjtë kreu i ekzekutivit Berisha u ndal sidomos tek vëmendja që qeveria i ka kushtuar këto vite rinisë dhe veçanërisht shkollimit të tyre. “Nga 12 studentë për 1 mijë banorë që kishim, ne sot kemi 51 studentë për 1 mijë banorë dhe qëndrojmë mbi mesataren europiane. Për ne shkollimi i të rinjve, i fëmijëve tanë, është përparësia e të gjitha përparësive. Në rast se në vitin 2005 rreth 63 për qind e fëmijëve që mbaroni arsimin e detyruar regjistroheshin në gjimnaze, sot 92 për qind  e të gjithë atyre që mbarojnë arsimin 9-vjeçar regjistrohen në gjimnaz”,- u shpreh kryeministri, duke nënvizuar se gjatë qeverisjes nga Partia Demokratike u bë realitet edhe shtrirja e internetit në çdo shkollë.

Më tej, Kryeministri Berisha ftoi që edhe të rinjtë nga qytete të tjera të vendit t’i bashkohen Partisë Demokratike, të bashkohen në projektin e madh Shqipëria vend i zhvilluar. “Ftoj të rinjtë shqiptarë të bashkohen në projektin tonë të madh, projektin e Shqipërisë vend i zhvilluar, projekti i ëndrrës tuaj më të bukur, projekti i Shqipërisë europiane”, tha kryeministri.

Duke shfrytëzuar rastin që ndodhej në rrethin e Durrësit, qyteti që pret numrin më të lartë të turistëve në vend Berisha u ndal edhe tek politikat që qeverisja e tij në këto 7 vite i ka rezervuar këtij sektori primar për ekonominë e vendit.

“Në vitin 2004 këtë vend të bekuar, me bukuritë mahnitëse, me plazhe ndër më të bukurat në Mesdhe, me male dhe me peizazhe magjepsëse, e vizitonin gjithsej 300 mijë turistë. 4 milion e 1 mijë turistë e vizitorë ishin në vitin e kaluar dhe rreth 4 milion e gjysmë do të jenë këtë vit. Shqipëria është shndërruar në një nga destinacionet më të pëlqyera e më të preferuara turistike të rajonit dhe më gjerë. Ju bashkoheni me forcën politike, e cila në një hark kohor 6 vjeçar po ndërton në Shqipëri infrastrukturën më moderne në rajon dhe më gjerë”,- tha kryeministri.

Në të njëjtën kohë kreu i ekzekutivit theksoi para të rinjve të Sukthit se do të bëjë realitet premtimin e tij për ndërtimin e rrugës Autostradë – Hamallaj dhe njëkohësisht do të punojë për të shtruar çdo aks rrugor të kësaj njësie të pushtetit vendor. Kur po i afrohemi vitit elektoral Berisha theksoi se PD po ecën drejt një mandati të tretë qeverisës. “Në katër vitet e tjera është në detyrën tonë të bëjmë katër herë më shumë. Katër vitet që vijnë Shqipërinë ta shndërrojmë tërësisht. Ky është projekti juaj dhe i mbarë shqiptarëve”,- tha para të rinjve të Sukthit kreu i ekzekutivit.