DURRËS, 22 prill 2013– “Durrësi do të ketë ujëra të pastra dhe turistët do të vërshojnë në bregdetin e tij”. Këtë garanci dha kryeministri Sali Berisha sot teksa inauguroi impiantin pastrimit të ujërave të zeza.
“Durrësi me këtë impiant do të hyjë në hartën e qyteteve me ujërat më të pastra në rajon dhe Europë. Durrësi me këtë impiant, do të rrisë në mënyrën më të ndjeshme kapacitetet e tij turistike. Çdo turist do ketë dëshirë të kalojë pushimet mes ujërave të pastra dhe mikpritjes të madhe”.
Sipas Berishës me ngritjen e këtij impianti ka marrë përgjigje ndotja e ajrit në Tiranë. Në këtë pikë Berisha nuk kurseu akuza ndaj kryetarit të PS Rama.
“Një përgjigje të merituar sot ka marrë dhe ndotja e ajrit në Tiranë. Për herë të parë, pas shumë vitesh kanë zbritur aparaturat e vendosura nga Organizata Botërore e Shëndetësore në qendër të qytetit dhe në pika të tjera që faktojnë se ajri i Tiranës është në standarte europiane të ajrit. Atij që bërtet cdo ditë për guroret e Krujës, ato i krijove t’i me klanet e betonit në Tiranë dhe jo vetëm ato. Dua të kujtoj këtu furrat e tmerrshme të gëlqeres që shpërndanin mbi Krujë e Tiranë blozën kancerogjene në mushkritë e cdo qytetari dhe ne do bëjmë gjithçka që dhe ato plagë që janë hapur nga babëzia t’i mbyllim, t’i shërojmë".
Kryeministri theksoi se në 4 vitet që do vijnë, impiante si ky i Durrësit do të kenë dhe qytete të tjera.
“Impiant për Vlorën, Lezhën, Korcën e kështu me radhë. Ne jemi të vendosur të kthejmë brigjet e deteve dhe liqeneve tona me brigjet më të pastra në Ballkan dhe Europë. Ky është zotimi ynë para qytetarëve shqiptarë. Ky është angazhimi ynë për mbrojtjen e qytetit të tyre.
Gjatë mandatit të ri do garantoj ujë të rrjedhshëm më së shumti në 24 orë në cdo skaj të këtij vendi, do ndërtoj e rindërtoj kanalizimet në cdo komunë e qyteza. Ne angazhohemi për mbrotje të plotë e totale gjatë mandatit të ri, jo vetëm të ujrave, deteve dhe liqeneve, por të ujrave të lumenjve që Shqipëria të ketë standartatin më të lartë të pastërtisë së ujrave”.





