TIRANE – Kryeministri Sali Berisha, i pranishëm në konferencën kombëtare për biznesin social, tha se sot jepen 160 milionë dollarë nga buxheti i shtetit vetëm për ndihmë ekonomike. Sipas Berishës, nëse këto para do të jepeshin në formën e mikrokredive, kjo praktikë mund të ndihmonte këto familje për t’u vetpunësuar apo për të dalë nga gjendja e vështirë ekonomike në të cilën jetojnë.

"Qeveria ime shpenzon çdo vit për të ashtuquajturën ndihmë ekonomike 160 milionë dollarë, e cila, absolutisht, në një përqindje të madhe është një lloj shpërdorimi ekonomik, që ndahet në pjesë të barabarta atij që ka nevojë dhe atij që s’ka nevojë. Sikur një pjesë të këtyre fondeve t'i devijojmë dhe t’ua japin mikrokredi këtyre familjeve në nevojë do t’i ndihmojmë që me djersën e tyre të dalin nga varfëria, të kenë një jetë më të mirë",- tha Berisha.
 
Ndërkohë Muhammad Yunus, fitues i çmimit “Nobel” për luften e tij ndaj varfërise tha se biznesi social është shumë i rëndësishëm për një shoqëri.

"Synimi është vendosja në qendër e personave që kanë mundësi të ngrenë një sipërmarrje, por nuk kanë si të gjejnë fonde për këtë investim, pasi kanë pak akses qoftë për të përfituar një kredi, apo u mungojnë mjetet financiare. Bazuar mbi këtë parim, unë mendoj se kudo ku ka një problem, mund të ngrihet një biznes për ta zgjidhur atë. Biznes jo në kuptimin e fitimit të përqendruar vetëm te një individ, por një biznes social që zgjerohet duke përfshirë persona të tjerë në nevojë, të cilët duan të punojnë",- tha Yunus.