Kryeministri Berisha përmes rrjetit Facebook ka falenderuar gazetarët e mediave elektronike për larminë dhe cilësinë e lartë të programeve të mrekullueshme artistike që ato kishin pregatitur për Vitin e Ri.

"Unë e nis ditën me leximin e gazetave, por sot në tavolinën e punës nuk gjeta asnjë syresh. Pyeta Erlën (zëdhënësen time): Ku janë gazetat? Ajo m’u pergjigj se sot nuk ka gazeta, sepse ato ende janë me pushime. Mendova se duhet të falenderojmë dy herë mediat elektronike, si për larminë dhe cilësinë e lartë të programeve të mrekullueshme artistike që ato kishin pergatitur për Vitin e Ri, për të gjitha shijet dhe moshat, ashtu edhe për kronikat serioze të lajmeve nga vendi dhe bota në edicionet e tyre, se po të ishte për gazetat do ndjeheshim si në ishullin e Robinson Kruzo. Vetiu thashë me vete: Zoti i ruajt gazetat tona nga Viti i Ri! Natyrisht, gazetarëve gëzuar", shkruan Berisha në statusin e tij.

Duke vijuar më tej kryeministri nuk ka lënë pa përmendur edhe opozitën e cila sipas tij gjatë së enjtes ishte akoma në gjumë.

"Në mëngjes shkova në zyrë. Dita ishte e bukur, vërtet një pranverë në dimër. Hapa dritaren dhe gjatë gjithë ditës nuk u degjua as dhe një ciu-ciu. Pyeta këshilltarët e mi se çfarë kishte ndodhur. Më thanë se opozita po fle. Gjumë të ëmbël dhe gëzuar Vitin e Ri opozitë! – thashë me vete – veçse kur të zgjohesh nga avujt e ahengut dhe kumbarit të Vitit të Ri, mos bërtit se fajin për letargjine e zgjatur e ka Saliu." përfundon ai.