Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë Rama për kontroll mbi pjesën më të madhe të medias, gjatë fjalimit të tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg.
Berisha pretendoi se mbi 90% e mediave në Shqipëri kontrollohen nga qeveria dhe interesa të lidhura me të, ndërsa mediat e pavarura, sipas tij, përballen me presion dhe sulme.
Duke folur për ndikimin e gjuhës në shoqëri, Berisha deklaroi se “gjuha është kthyer në një burg pa mure”, duke argumentuar se përdorimi i saj si mjet politik kufizon mendimin e pavarur dhe e bën pluralizmin demokratik fiktiv.
Fjala e Berishës:
Zonja Kryetare,
Në një kontekst ku 90% e mediave kontrollohet nga interesat politike dhe ekonomike të qeverisë, “e keqja banale” pushon së qeni një seri gabimesh rastësore dhe shndërrohet në një sistem operativ dhe ky është pikërisht rasti i Shqipërisë.
Kur 90% e mediave kontrollohet nga qeveria, korruptimi i gjuhës nuk është më një pasojë anësore, por një teknologji sundimi, dhe ky është një rast tipik i Shqipërisë. Në këtë rast, gjuha kthehet në një lloj “burgu pa mure”, ku fjalët përdoren për të parandaluar mendimin e pavarur përpara se ai të lindë. Korruptimi i gjuhës është me distancë mjeti më i fuqishëm dhe më i padukshëm i “të keqes banale”.
Korruptimi i gjuhës shënon shkatërrimin e kontratës themelore mes njeriut, shoqërisë dhe së vërtetës. Korruptimi i gjuhës korrupton mendimin: liria bëhet fiktive, pluralizmi politik zëvendësohet nga pluralizmi burokratik, dhe ky është realiteti i sotëm në Shqipëri, narkoshteti i parë dhe i vetëm në Evropë.
Gjuha nuk shërben më për të kërkuar të vërtetën, por për të ndërtuar mure.
Ludwig WITTGENSTEIN ka thënë: “Kufijtë e gjuhës sime tregojnë kufijtë e botës sime.”
Ajo shërben për të sulmuar kundërshtarët dhe për të demonizuar opozitën e vërtetë. Në një vend ku e keqja banale është shndërruar në sistem dhe korruptimi i gjuhës në një teknologji dominuese, opozita është gjithmonë fajtore për çdo gjë që ndodh në vend.
Një qëndrim i prerë, sanksionet ndërkombëtare dhe ndëshkimi i narkoshtetit në Shqipëri si dhe i atyre që e ndërtuan atë, janë kushte sine qua non për lirinë dhe pavarësinë e mediave dhe për rivendosjen e pluralizmit të vërtetë demokratik në vendin tim.





