Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha do të parqaqitet ditën e nesërme në Prokurorinë e Posaçme në zbatim të masës “detyrim paraqitje”. 

Lidhur me këtë, Partia Demokratike në një mesazh drejtuar strukturave të saj ka kërkuar mobilizim për liderin e opozitës, ndërsa nuk përmendet se mund të protestohet. 

“Te dashur miq. Nesër ditën  e hënë ne ora 9:30 serish Kryetari i PD Prof Dr Sali Berisha do jete ne dyert e SKAP. Ju lutem te mobilizojmë strukturat e degëve për te qene te gjithë aty. Ne orën 9:30 përpara selisë SKAP-it. Faleminderit”, thuhet në mesazhin e PD.

Berisha është shprehur se vendimi për masën e sigurisë “detyrim paraqitje” nga Apeli i Posaçëm për çështjen “Partizani” është një krim kushtetues. Ai ka deklaruar se prokurorët e SPAK kanë kërkuar vendosjen e masave të sigurisë kundrejt tij me arsyetimin se ai po sulmon Prokurorinë e Posaçme dhe gjykatën.

Berisha u lirua më 27 nëntor 2024, pas rreth një viti në arrest shtëpiak, për shkak të akuzave për përfshirje në dosjen “Partizani.” Ish-kryeministri është marrë i pandehur për korrupsion pasiv, bashkë me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, i cili vazhdon të jetë në arrest shtëpie.