TIRANE, 22 mars 2013- Partia Demokratike feston sot 21-vjetorin e fitores së parë, më 22 Mars të vitit 1992. Në një miting në Sheshin ‘Nënë Tereza’ kreu i qeverisë e cilësoi këtë si fitoren e të rinjve dhe të rejave, ndërsa i ftoi ata të bëhen pjesë e fitores së radhës, që sipas kryeministrit janë zgjedhjet e 23 qershorit. 

Kjo, tha Berisha është dita kur shqiptarët firmosën ndryshimin më të madh në histori, duke u shkëputur nga diktatura. 

“Sot për të festuar së bashku 22 Marsin ditën e parë të demokracisë, ditën në të cilën të rejat e të rinjtë, burrat e gratë firmosën për ndryshimin më të madh në historinë tonë kombëtare, u shkëputën nga diktatura e egër e sistemi i antivlerave. Më 22 Mars të vitit 92 qytetarët votuan për sistemin e bazuar tek vlerat e lirisë. Këtë ditë të madhe të historisë sonë, ne asokohe njerëzit më të varfër të shtypur të rruzullit tonë firmosën për të ardhmen euroatlantike, firmosëm për veten, për gjeneratat tona”, tha Berisha. 

Kryeministri uroi nga ky miting edhe për festën e Sulltan Nevruzit, ndërsa tha se, “Zoti e deshi që këto dy ngjarje të mëdha të jenë në një ditë, fitorja jonë të jetë në këtë ditë të shenjtë” 

Duke u shprehur se 22 marsi është dita që ndan epokat, ai ftoi të gjithë shqiptarët të shembin murin e bllokimit më 23 qershor. 

“Përpara, për zgjedhje të lira e dinjitoze, për një 22 mars të dytë më 23 qershor. Ne do fitojmë. 22 marsi është dita e triumfit të ëndrrës sonë të madhe. Shqipëria në Europë ishte ëndrra jonë fisnike, shkallmuam bunkerët e izolimit ecim drejt të ardhmes së ndritur. Ne jemi ndryshimi, me reformat bëmë realitet ëndrrën e 22 marsit me anëtarësimin në NATO. Ne jemi ndryshimi, sepse me reforma të thella e të gjithanshme bëmë që qytetarët të lëvizin të lirë në të gjithë Europën. Statusin e bllokuan bijtë e atyre që ne përmbysëm 21 vjet më parë. Le t’ju themi atyre se ëndrra jonë evropiane nuk ndalet, me forcën e votës sonë ne do shembin murin e bllokimit”, tha Berisha.