Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur për protestën gjatë një takimi me ish-të përndjekurit politikë, të zhvilluar në ambientet e selisë blu.
Deklaratat e tij u bënë në takimin e organizuar nga Departamenti i të Përndjekurve Politikë në PD me temë “Krimi të mos bëhet harrim”, ku Berisha u ndal te zhvillimet politike dhe protesta qytetare që vijon prej më shumë se një muaji.
Berisha deklaroi se suksesi i protestës është një detyrim ndaj viktimave të diktaturës dhe martirëve të lirisë.
“Duhet të bëjmë gjithçka që të finalizohet me sukses misioni i saj. Kontributi i gjithsecilit është i jashtëzakonshëm. Ky është nderimi më i madh që ne u bëjmë martirëve të lirisë, të rënëve të kombit”, tha Berisha.
Ai akuzoi qeverinë Rama për autoritarizëm, duke u shprehur se shqiptarët duhet të përgatiten për një “betejë vendimtare” për ndryshimin e situatës politike në vend.
“Edi Rama para gjithë botës tashmë është një tiran. Por tiranët kurrë nuk ikin vetë. Ndaj dhe çdo shqiptar dhe shqiptare duhet të jetë i përgatitur për betejën vendimtare me këtë regjim, për të shpëtuar Shqipërinë”, u shpreh kreu i PD-së.
Sipas Berishës, përballja me qeverinë aktuale është edhe një përgjegjësi ndaj së ardhmes së vendit dhe brezave të rinj.





