Nga qyteti i Beratit, kryeministri i vendit Sali Berisha ka premtuar dhe një herë mbështetjen e qeverisë ndaj investitorëve të huaj dhe vendas, në mënyrë që çdo kapital dhe investim i hedhur prej tyre të kthehet në histori suksesi. Këtë deklaratë kryeministri e bëri gjatë inspektimit të punimeve për shpimin e pusit në Shpirag 2, të kompanisë Petromanas dhe Shell.
“Falenderoj kompaninë Petromanas dhe Shell për besimin që kanë treguar tek Shqipëria. Kompanitë kanë besim tek Shqipëria me investimet e tyre, që këtë vit kapin vlerën e 50 mln dollarëve. Investimet e saj në dy vitet e fundit kapin vlerën e 80 mln dollarëve në eksplorim dhe nxjerrje nafte. Uroj që kompania Petromanas dhe Shell të kenë në Shpirag një histori suksesi. Investimi i tyre është dëshmi e përmirësimit të klimës së biznesit në Shqipëri dhe Qeveria do të bëjë gjithçka për të ndihmuar investitorët e huaj dhe vendas, të cilat janë themelore për zhvillimin e vendit. Vetëm gjatë këtij viti janë investuar 800 mln dollarë në naftë kundrejt 3.8 mln gjatë vitit 2004”,- deklaroi kryeministri Berisha.
Numri një i qeverisë dhe kreu i PD nuk ka lënë pa ironizuar edhe kundërshtarin e tij politik, Edi Rama lidhur me taksën progresive.
“Ata që premtojnë taksën elektorale, valëvisin manifestin e Karl Marksit, që s`do të kthehet më kurrë. Kush mendon të shkatërrojë të pasurit për të ndihmuar të varfërit, shohin ëndrra me sy hapur. Kjo është rruga për t`i çuar ata në mjerim” shtoi ai. Ndërkaq kryeministri vlerësoi faktin se edhe pse në një krizë globale Shqipëria ka njohur një rritje ekonomike 4 herë më të lartë se ajo e rajonit.
“Shqipëria në kushtet e krizës ka rritje ekonomike 4 herë më të lartë se ajo e rajonit. Qeveria dhe politikat e saj bënë që të rriten investimet, të mbrojmë shqiptarët dhe ekonominë nga kriza. Të ardhurat buxhetore njohin rritje të vazhdueshme, të konvertuara këto në rritje rrogash e pensionesh. Papunësia është ulur në mënyrë progresive, në çdo skaj të vendit po krijohen vende pune. Do bëjmë çdo gjë për punësimin që vendi të mbrohet nga kriza dhe të mos bjerë në recesion”,- u shpreh kryeministri Berisha.