Kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje kreut të opozitës Edi Rama që të heqë dorë nga ajo që ai e cilësoi si “pozicion bllokues” për të ardhmen europiane të vendit. Nga Korça kryeministri Berisha ftoi zotin Rama të heqë dorë nga "pazaret" me integrimin e vendit dhe i propozoi një zgjidhje për zhbllokimin e situatës në qarkun e Fierit. 

Një çeshtje me të cilën Partia Socialiste ka lidhur qëndrimin e saj për të mos votuar ligjet me 3/5-at, pjesë e 12 rekomandimeve të Komisionit Europian për Shqipërinë. 

“E vërteta është se një grup jo i vogël i këshilltarëve të tij kanë kaluar në anën e mazhorancës, absolutisht me vullnetin e tyre të plotë të lirë. A keni dëgjuar ju që unë t’i kërkoj atij Paulinin, i cili kaloi nga grupi im parlamentar në grupin e tij parlamentar? E ftoj dhe e pyes kryetarin e PS-së: përse nuk e vendos në mocion mosbesimi kryetarin aktual në Fier? Kjo ndodh sepse nuk ka vota. Ndaj i them, mos blloko se shqiptarët nuk meritojnë t’i bllokojmë. Zhbllokoje atë votim, të marrim statusin që na takon, të shkojmë drejt zgjedhjeve, të angazhohemi para jush dhe të gjithë shqiptarëve me burrëri  e dinjitet për zgjedhje të lira e të ndershme dhe të respektojmë vendimin tuaj suprem”, deklaroi Berisha. 

Çështja e integrimit të vendit dhe asaj që ai e cilëson si bllokim me dashje nga ana e opozitës, ishte një nga pjesët e fjalimit të kryeministrit Berisha pas inaugurimit të një shkolle të rikonstruktuar në komunën Mollaj. Duke e vënë theksin tek përpjekjet e qeverisë së tij për të modernizuar infrastrukturën e shkollave, kryeministri Berisha tha se etapa e dytë e këtij objektivi madhor është gara per cilësinë në arsim dhe se qeveria e tij do të synojë në mandatin e ardhshëm të përshtasë per arsimin shqiptar modelet më të mira të Evropës dhe të botës.