TIRANË, 22 mars 2013- Kryeministri i vendit Sali Berisha përmes një postimi në në rrjetin social “Facebook” ka ftuar gjithë ndjekësit e tij dhe jo vetëm të festojnë së bashku në ne Sheshin Nënë Tereza, 22 Marsin, ditën e parë të demokracisë. 

Numri 1 i qeverisë vlerëson se më 22 mars shqiptarët me votën e lirë sollën ndryshimin duke shtuar se një ditë si kjo frymëzon për një fitore të shkëlqyer më 23 qershor. Gezuar! 

“Të dashur miq! Sot është 22 Marsi, dita që ne me votën e lirë sollëm ndryshimin më të madh në tërë historinë tonë kombëtare, ndryshuam epoka, sisteme, dhe kaluam nga dikatatura komuniste më çnjerëzore, sistemi i shtypjes dhe mbijetesës në skllavëri shtetërore, në sistemin e vlerave të lirisë, demokracisë dhe ndërtimit të të ardhmes europiane që meritojmë. Ndaj le të festojmë sot të gjithë së bashku në sheshin Nënë Tereza 22 Marsin, diten e parë të demokracisë, ditën e bardhë që na frymëzon ne për një fitore të shkëlqyer më 23 qershor. Gezuar!”, shkruan kryeministri në “Facebok”. 

Më 22 mars të 92-it mori pushtetin duke i dhënë goditjen e fundit përmes votës regjimit komunist në Shqipëri të ish-presidentit Ramiz Alia. 

22 MARSI 1992

Shqiptarët kujtojnë sot 22 marsin e vitit 1992 e konsideruar si dita e parë e demokracisë në Shqipëri, që u kurorëzua me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike, forca politike që solli rrëzimin e sistemit komunist dhe vendosjen e pluralizmit në vend. 

Për të kremtuar fitoren e forcave demokratike ndaj sistemit komunist, Partia Demokratike organizon sot një koncert festiv në Sheshin “Nënë Tereza”, ku do të jetë i pranishëm edhe Kryeministri Sali Berisha. 

21 vjet më parë, populli shqiptar me fuqinë e votës së lirë shënoi fitoren e pluralizmit demokratik dhe rrëzimin e sistemit komunist, që për 45 vjet me radhë vendosi në Shqipëri monizmin më ekstrem dhe totalitarizmin më total që Evropa ka njohur në tërë historinë e saj. 

Në 22 mars 1992, Partia Demokratike, forca e parë opozitare në vend fitoi shumicën e deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë, ndaj kjo datë shënon fundin e shtetit komunist dhe fillimin e erës së demokracisë në Shqipëri. Më parë në zgjedhjet e 31 marsit 1991, Partia Demokratike edhe pse nuk arriti të fitojë shumicën e votave në Kuvend, u paraqit si një forcë kërcënuese për sistemin e vjetër. 

Vota e shqiptarëve më 22 mars 1992, hapi dyert e mbyllura të lirisë, tregut të lirë dhe integrimit euro-atlantik dhe bëri që Shqipëria të niste ndërtimin e demokracisë. 

Partia Demokratike erdhi në pushtet atëherë kur Shqipëria ishte në kushtet më të vështira ekonomike, sociale dhe politike. 

Fitorja e 22 Marsit e gjente Shqipërinë e sapodalë nga diktatura hoxhiste, si vendin më të varfër të Europës dhe një nga tre vendet më të varfëra të botës, me të ardhura për frymë vetëm 204 dollarë, me rreth 60 për qind të popullatës në mjerim të thellë, me ekonomi tërësisht të falimentuar dhe me papunësi rreth 80 për qind. 

21 vjet më pas, Shqipëria feston këtë datë si një vend anëtar me të drejta të plota i Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe si vendi që ka fituar lëvizjen e lirë në hapësirën Shengen.