Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një takim me Kryetarët e Degëve të PD, ka thënë se Edi Rama ka punuar fshehurazi për shkatërrimin e opozitës në Shqipëri.

Berisha akuzon Ramën se ka korruptuar ish-zyrtarin FBI, Charles McGonigal dhe se për këtë arsye largimi i Ramës është i domosdoshëm.

“Mblidhemi sot në një moment shumë të veçantë, në një moment kur para të gjithë shqiptarëve është bërë përfundimisht e qartë, se Edi Rama të cilin ne me të drejtë, me fakte dhe argumente e kemi shpallur prej kohësh një armik të lirisë, armik të votës, armik të qenies sonë, faktohet se nga viti 2017 e deri më sot, ky demon pushteti, njeri pa asnjë princip, pa asnjë vlerë morale, pa asnjë normë, standard, ka punuar fshehtas dhe haptas, për shkatërrimin e PD-së, në Shqipëri. Ka mobilizuar fonde, ka blerë dhe korruptuar për faqen e zezë të tij dhe atyre, individë ndër më të fuqishmit mbi tokë, në fushën e sigurisë, siç është rasti i shefit të kundërzbulimit në FBI, Charles McGonigal. Ky akt i turpshëm, ky akt armiqësor ndaj vendit të madh të lirisë, vendit që udhëheq NATO-n dhe është përgjegjës për sigurinë e botës së lirë, del jashtë çdo lloj imagjinimi, që të bëhet nga një fuqi tjetër, përveç se armiqve të SHBA dhe NATO-s.  E vërteta është se, midis rekrutimit me korrupsion që Edi Rama i ka McGonigal, përdorimit të tij kundër opozitës, vendosjes së monizmit në Shqipëri, investimeve të mëdha të Deripaskës në Tiranë, ka një lidhje të pazgjidhshme. Por, ajo çka ne si forcë politike properëndimore na bie si detyrë, largimi i menjëhershëm nga pushteti i këtij njeriu që na abuzimin e tij, në thikën pas shpine që ju futi marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, më të keqen që nga ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike nga Enver Hoxha, deri më sot, është një barrë e rëndë për çdo shqiptare, qenia e tij në pushtet. Është një barrë e rëndë morale dhe jo vetëm morale.Largimi i tij është i domosdoshëm për të distancuar çdo shqiptar, veten nga ky individ, që nuk ngurron të kryejë akte më armiqësore ndaj sigurisë së një vendi të madh, vendit që ka bërë më shumë se çdo vend tjetër për lirinë e shqiptarëve, por nuk ngurron në një hakmarrje të verbër, në kundërshtim me ligjet, kushtetutën të përdorë atë kundër PD-së.”, ka thënë Berisha.