Pas seancës së jashtëzakonshme në Kuvend, Sali Berisha pati një prononcim për mediat. Ai i bëri thirrje KQZ-së që të dorëzojë çdo dokumentacion që disponon për atë që e quan “farsë e tmerrshme zgjedhore”. Ai u shpreh se selia blu ka dokumente të pakundërshtueshme se procesi i votimit në Kamëz ka qenë antikushtetues.

“Jam këtu për t’i bërë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që në emër të transparencës të dorëzojë çdo dokumentacion që disponon për farsën e tmerrshme zgjedhore në Kamzë dhe pastaj në bashkitë e tjera. Ne disponojmë dokumente të pakundërshtueshme se farsa e votimit në bashkinë e Kamzës ka qenë një farsë kryekëput anti-kushtetuese. Jo antiligjore me kodin, por edhe në kundërshtim flagrant me parimet kushtetuese. Ka një urdhër nga Rama që mos të dorëzohen dokumentet e kërkuara nga pala e interesuar që është kandidati. Kjo është porosia që duhet të hidhet poshtë me guxim nga KQZ”, tha Berisha.

Berisha tha se në bashkitë ku i është marrë mandati opozitës nuk i njohin zgjedhjet.

“Opozita ka marrë rreth 40% të votave dhe falë këtij manipulimi grotesk këto 40% kanë prodhuar vetëm 5% të pushtetit. 40% e votave gjithsej me 5% pushtet”, tha ai.