30 nëntor 2013- Ish-kryeministri shqiptar, Sali Berisha ka publikuar disa minuta më parë në rrjetin social Facebook një status për krerët e mazhorancës Rama-Meta dhe vizitën e tyre në varrezat e “Dëshmorëve të Kombit” Berisha e quajti vendosjen e kurorave nga Rama dhe Meta një skenar djallëzor që i vrau për herë të dytë dëshmorët e kombit.
"Të dashur miq, dje në ditën e çlirimit të vendit, por sipas kalendarit Bizantin të vendosur në Beograd 68 vjet më parë, krerët e mazhorancës Rama – Meta i vranë për herë të dytë dëshmorët e kombit. Ata me një skenar djallëzor vendosën kurorat me lule në nderim të tyre dhe e bënë këtë në praninë direkt të Enver Hoxhës, portretet e të cilit dominonin në shesh, sikur të ishim në vitin 1987. Më pas, Edi Rama, për të dëshmuar autorësinë e këtij skenari, zgjodhi me kujdes dhe vendosi në Facebook fotot e ceremonisë ku spikatnin portretet e atit të tij shpirtëror. Me këtë provokacion të rëndë, të papërgjegjshëm, jo thjesht nostalgjik por më shumë simbolik, Rama – Meta ekzekutuan për së dyti të rënët dhe heronjtë tanë.
Në Maj të vitit 1991 Unioni Demokratik Evropian, që gruponte të gjitha partitë e qendrës së djathtë të Evropës, shpalli me unanimitet të plotë në deklaratën e Parisit, Enver Hoxhën si Hitlerin shqiptar të Pasluftës së Dytë Botërore. Të gjithë ata e dinin se Hoxha kishte luftuar kundër Hitlerit. Por ata e quajtën Hitler të Pasluftës sepse ai vendosi në Shqipëri sistemin e shtypjes më të egër njerëzor në historinë e Evropës, sistem në të cilin ai vetëm për lirinë e fjalës, besimit, pronës, mori jetën, me skuadra ekzekutimi, burgje dhe kampe përqendrimi dhjetëra mijërave qytetarëve shqiptarë.
Ata e cilësuan Hoxhën si Hitleri shqiptar i Pasluftës sepse ai me sistemin hiperkolektivist dhe skllavërues që vendosi, mori jetën nëpërmjet urisë dhe sëmundjeve qindra mijëra shqiptarëve. Hoxha, me të cilin Rama festoi dje, zhyti Shqipërinë në izolimin më të thellë në të gjithë ekzistencën e saj. Rama dje hapi siparin e rehabilitimit të Hoxhës dhe etërve të tjerë shpirtëror, por ne jemi sot për të garantuar z. Rama se historia do ti rezervojë atij fundin e etërve të tij mizor", shkruan Berisha në Fcebook.





