Biznesmeni suedez Carl Lundstroem, bashkëthemelues i faqes së paligjshme të ndarjes së skedarëve në internet ‘The Pirate Bay’, ka vdekur në një aksident ajror në Slloveni, thanë burime nga partia e ekstremit të djathtë në të cilën ai bënte pjesë.

Policia sllovene konfirmoi të mërkurën për AFP se gjeti një trup, me gjasa i pilotit, një shtetas suedez, por nuk pranoi ta identifikonte atë në pritje të verifikimit mjeko-ligjor.

Avioni u rrëzua në një kabinë prej druri në zonën Velika Planina të Sllovenisë veriore të hënën, por moti i keq i pengoi shpëtimtarët të merrnin trupin deri të martën.

Partia suedeze e ekstremit të djathtë Alternativa për Suedinë tha në një postim se Lundstroem kishte vdekur në aksident.

“Lundstroem, një legjendë dhe veteran i nacionalizmit suedez, vdiq në një aksident avioni të hënën”, thuhet në postim.

Lundstroem, 64 vjeç, ishte nisur me aeroplanin e tij Mooney M20 nga kryeqyteti i Kroacisë Zagrebi duke u nisur për në Zyrih në Zvicër.

Themeluar në vitin 2003, ‘The Pirate Bay’ u lejonte përdoruesve të shmangnin tarifat e të drejtave të autorit dhe të ndanin muzikë, filma, lojëra dhe skedarë të tjerë përmes lidhjeve peer-to-peer të ofruara në faqe, gjë që Suedia është përpjekur vazhdimisht t’i jepte fund.