Zbarkon në portin e Durrësit anija e marinës ushtarake amerikane “USS FORT MCHENRY (LSD 43) FPO 09569-1731”.  Pasditen e së premtes, ajo është ankoruar në portin detar të Durrësit për një vizitë portuale, në vazhdën e përpjekjeve të Flotës së 6-të të Shteteve të Bashkuara për të ndërtuar partneritete globale me flotat e vendeve europiane dhe përmirësuar sigurinë dhe mbrojtjen e flotave ushtarake.

Anija Ushtarake amerikane “USS FORT MCHENRY” me 502 marinsa dhe anëtarë të tjerë të ekuipazhit  ka mbërritur në portin e Durrësit, në kuadër të një stërvitjeje të përbashkët me Flotën Detare të Shqipërisë. Anija ushtarake do të qëndrojë për gjashtë ditë në portin e Durrësit në kalatën numër 5. Të hënën dhe të marten, për dy ditë me radhë, marinsat amerikanë do të zhvillojnë një stërvitje të përbashkët në det, me anijet e flotës detare shqiptare për operacionet e kërkim shpëtimit në det të hapur, në rast fatkeqësish njerëzore apo incidentesh detare.

Burime nga Kapiteneria e Përgjithshme e porteve bënë me dije se gjatë gjashtë ditëve të qëndrimit të anijes amerikane në Portin e Durrësit pritet të ketë edhe vizita nga përfaqësues të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe autoriteteve të tjera, ndërsa marinsat kanë parashikuar ture vizitash në qytetin e Durrësit dhe të Tiranës si dhe në sajtet arkeologjikë të vendit. “USS FORT MCHENRY (LSD 43) FPO 09569-1731” është e dyta anije ushtarake amerikane që vjen për vizitë gjashtë ditore në portin e Durrësit.

Në 24 prill, të këtij viti 685 ushtarë amerikanë kanë mbërritur në Durrës përmes anijes ushtarake zbarkuese "Uss Gunston Hall", e cila qëndroi  në ujërat tona për 4 ditë, gjatë të cilave u zhvilluan  manovra të ndryshme zbarkimi.

Trupat amerikane gjatë hyrjes, qëndrimit dhe daljes nga territori i Republikës së Shqipërisë do të kenë statusin e parashikuar në marrëveshjen ndërmjet palëve të Traktatit të Atlantikut të Veriut, për statusin e forcave detare, nënshkruar në Londër, më 19 qershor 1951 dhe të ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me ligjin nr.10101, datë 26.3.2009, si dhe statusin e parashikuar në marrëveshjen plotësuese, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të marrëveshjes mes shteteve palë në Traktatin e Atlantikut të Veriut dhe të shteteve të tjera pjesëmarrëse në partneritetin për paqe lidhur me statusin e forcave të tyre.