Përfaqësuesi i Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë/Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian Josep Borrell priti në një drekë jozyrtare liderët e Ballkanit Perëndimor të martën (20 shtator 2022) në Nju Jork, në prag të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Përmes një njoftimi të shpërndarë nga zyra e shtypit në Bruksel mësohet se tema e diskutimit u fokusua në “ndikimin global dhe rajonal të luftës së paligjshme dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës

“Përfaqësuesi i Lartë Borrell dhe liderët e Ballkanit Perëndimor diskutuan se si të trajtohen së bashku pasojat e dëmshme të kësaj lufte në çmimet e ushqimeve dhe energjisë dhe në stabilitetin dhe sigurinë në Evropë dhe globalisht”

Përfaqësuesi i Lartë Borrell theksoi mbështetjen që BE po i jep Ballkanit Perëndimor për të rritur sigurinë e energjisë dhe për të adresuar kërcënimet hibride, duke përfshirë manipulimin dhe ndërhyrjen e informacionit kibernetik dhe të huaj.

“BE-ja dhe Ballkani Perëndimor do të vazhdojnë të qëndrojnë së bashku në përballjen e sfidave që imponon globalisht lufta e paprovokuar e Rusisë ndaj Ukrainës. BE-ja e lidh plotësisht Ballkanin Perëndimor me nismat e saj për të zbutur ndikimet e luftës” thuhet në tej në deklaratë.

Këto tubime jozyrtare zhvillohen dy herë në vit në Bruksel dhe Nju Jork dhe shërbejnë si një mundësi informale për të shkëmbyer pikëpamje rreth sfidave në rajon dhe për të ardhmen evropiane të rajonit.