Shefi i politikës së Jashtme në Bashkimin Europian, Josep Borrell ka deklaruar se është i “tmerruar nga lajmet që vijnë nga Rafah, pas sulmit të Izraelit. Pas këtij sulmi ka pasur viktima, mes të cilëve edhe fëmijë të vegjël.

“E dënoj këtë në termat më të ashpër,” tha Borrel duke shtuar: “Nuk ka më vend të sigurt në Gaza. Këto sulme duhet të ndalen menjëherë. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Ligji Ndërkombëtar Humanitar duhet të respektohet nga të gjitha palët.”

Një masakër e vërtetë ka ndodhur, gjatë orëve të fundit në Rafah. Mediat arabe flasin për 40 civilë të vdekur.

Sulmet erdhën dy ditë pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë urdhëroi Izraelin të ndalë ofensivën e tij ushtarake në Rafah, ku më shumë se gjysma e popullsisë 2.3 milionëshe të Gazës ka kërkuar strehim përpara inkursionit të Izraelit, në fillim të këtij muaji.

Sulmi ajror u raportua disa orë pasi Hamasi lëshoi një breshëri raketash nga Gaza që ndezën sirenat e sulmit ajror deri në Tel Aviv, për herë të parë pas disa muajsh.