Autoritetet e Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian i bënë thirrje qeverisë së Iranit të heqë dorë nga qëllimi i saj për tejkalimin e sasisë së uraniumit të pasuruar të dakorduar në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.

Shefat e diplomacive të Britanisë, Francës dhe Gjermanisë, si dhe përfaqësuesit e BE-së në një deklaratë të përbashkët shprehën shqetësime në lidhje me lajmet e fundit se Irani ka tejkaluar tashmë kufirin e lejueshëm prej 300 kilogramë uranium të pasuruar.

“Ne ishim të qartë dhe konciz në qëndrimin se detyrimi ynë ndaj marrëveshjes varet nga respektimi i plotë i palës iraniane. Shprehim keqardhje për këtë vendim iranian që paraqet çështjen e një instrumenti kyç për mospërhapjen e armëve bërthamore”, thuhet në deklaratë.

Më 8 maj, Irani u dha afat dy mujor partnerëve evropianë për ruajtjen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015. Irani njoftoi të hënën se ka tejkaluar kufirin e uraniumit të pasuruar të depozituar.

Paralelisht me këtë, kreu i diplomacisë ruse Sergej Lavrov dje i bëri thirrje qeverisë së Iranit që të mos udhëhiqen nga emocionet dhe të respektojnë dispozitat bazë të marrëveshjes ndërkombëtare për çështjen bërthamore të vitit 2015.

“SHBA-të imponuan paketë të re sanksionesh e cila parandalon blerjen e tepricës së uraniumit të pasuruar nga Irani. Në këtë mënyrë SHBA-të anëtarëve të OKB-së u ndaluan zbatimin e vendimeve të mëparshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kjo ka shkaktuar këtë situatë”, ka thënë Lavrov.

Ai gjithashtu u bëri thirrje vendeve evropiane t’u përmbahen premtimeve të tyre lidhur me aktivizimin e Instrumentit për këmbimin tregtar (INSTEX).

Forcat udhëheqëse të BE-së në fillim të këtij viti themeluan INSTEX-in, një mekanizëm i ri drejt bashkëpunimit të mëtejshëm tregtar me Iranin dhe anashkalim i sanksioneve të SHBA-ve.

Të gjithë anëtarëve të BE-së do t’u hapet dera e INSTEX-it ndërsa organet menaxhuese do t’i emërojë Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe, të cilat, së bashku me Rusinë, Kinën dhe SHBA-të janë palë nënshkruese të marrëveshjes ndërkombëtare me Iranin.