GJERMANI– I njohur si një nga diktatorët më të egër të të gjitha kohërave, Adolf Hitler, edhe pse kanë kanë kaluar rreth 67 vjet nga vdekja e tij, vazhdon të ngjallë ende kureshtjen e njerëzve në mbarë botën.

Së fundmi, disa fotografi bardh e zi nga bunkeri ku lideri i nazistëve kaloi ditët e fundit të jetës së tij dhe nga rrënojat e Berlinit janë publikuar nga Life.time.com.

Fotografitë e shkrepura nga William Vandivert tregojnë aspekte të ndryshme nga ambientet ku Adolf Hitleri dhe shoqja e tij, Eva Brown ishin mbyllur në ato ditë prilli të vitit 1945, si dhe shkatërrimet e mëdha që kishte pësuar kryeqyteti gjerman nga lufta.

Në bunker, objektivi i Vandivert ka kapur edhe objekte që mbartin shenja gjaku, që mendohet t’i përkasin personave që shoqëronin Hitlerin dhe Brown në bunker.

Tavolina të mbushura plot letra, një pikturë e viteve ‘500, e vjedhur nga muzetë italiane, kapelja e diktatorit e hedhur përtokë, janë të gjitha detaje që të çojnë ndërmend kaosin që kishte pushtuar ato ditë nazistët, kur fundi i sundimit të tyre të përgjakshëm nuk ishte larg.