Dalja nga BE mund t’i kushtoje Britanisë edhe një sektor të çmuar bankar, siç është ai i garantorit të transaksioneve në euro, ku përfshihen rreth 100 mijë vende pune sipas eksperteve.

Kreu i grupit të partisë Popullore në Parlamentin Europian, aleat i ngushtë si i kancelares Merkel edhe i presidentit të Komisionit Europian Juncker, ka kërkuar që sektori që merret me ndërmjetësimet financiare në euro të zhvendoset nga Londra dhe të qëndrojë në territor brenda zonës euro.

Londra sot kryen ndërmjetësimin e rreth 3/4 të gjithë transaksioneve tregtare në monedhën euro.

“Qytetaret e BE vendosin për paranë e tyre. Nga sot e tutje ne do të kemi në mendje interesin e 27 vendeve anëtare. Disa politikane në Londër nuk e kanë kuptuar mirë ç’do të thotë të dalësh nga BE, do të thotë të mbetesh vetëm” tha Manfred Weber, Deputet i Parlamentit Europian.

Sipas një studimi të firmës Ernst & Young, largimi i këtij sektori nga Britania mund të cënojë deri në 232,000 pozicione pune të lidhura zinxhir me sektorin.

Pesha që ka Londra në menaxhimin e transaksioneve financiare në monedhën euro ka qenë edhe më herët burim shqetësimi në vendet e eurozonës.