Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se ka nisur në të gjithë Shqipërinë Prania Besnike e Partisë Socialiste, e cila do të zhvillohet çdo të premte në orën 17.00. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Rama e ka cilësuar “Praninë Besnike” si dëgjesë individuale e hallit, ankesës, kërkesës.
Sipas kryeministrit, Prania Besnike është një “vend neutral”, pa kamera dhe pa teser partie, ku do të dëgjohen problemet e qytetarëve. Në fund të reagimit të tij, Kryeministri shprehet se Prania Besnike nuk premton zgjidhje, po zotohet se asgjë nuk do të mbetet pa u adresuar dhe askush pa marrë përgjigjen që i takon me ligj e me zakon.
Postimi i Ramës:
SOT NË 17.00 ka nisur në të gjithë Shqipërinë PRANIA BESNIKE e Partisë Socialiste, e cila do të zhvillohet çdo të premte, në të njëjtën orë dhe të njëjtin vend, GJITHNJË TË PREMTEN NË ORËN 17.00. Çdo njësi administrative e Shqipërisë zonë urbane sipas brenda qyteteve më të mëdha, do të ketë PRANINË e vet BESNIKE një të premte në muaj.
PRANIA BESNIKE është vend neutral. Hyhet PA KAMERA dhe PA TESËR PARTIE. NUK ËSHTË MBLEDHJE PO DËGJESË INDIVIDUALE e hallit, ankesës, kërkesës. MBAN SHËNIM, adreson institucionet zyrzarisht përmes deputetit dhe sigurohet që qytetari merr përgjigje.
Nuk premton zgjidhje, po zotohet se asgjë nuk do të mbetet pa u adresuar dhe askush pa marrë përgjigjen që i takon me ligj e me zakon. PRANIA BESNIKE të dëgjon dhe BESA të thotë më kontrollo./





