“Shtrati i detit është një fushëbetejë”, tha ministri i Mbrojtjes i Australisë në një sallë të mbushur me admiralë dhe gjeneralë në Singapor, në fund të majit.
Richard Marles, duke përmendur disa kabllo nënujore që janë këputur në Detin Baltik dhe rreth Tajvanit vitet e fundit, iu bashkua 16 homologëve të tij në shpalljen e planeve për të mbrojtur fijet nënujore të botës digjitale: gati 700 kabllo komunikimi, të cilat kryesisht qëndrojnë të ekspozuara në fundin e oqeaneve të botës.
Qeveritë dhe Forcat e Armatosura në Azi vetëm së fundmi janë ndërgjegjësuar për rëndësinë e kabllove nënujore.
Disa nga frikërat e tyre për ndërhyrje të fshehta mund të jenë të ekzagjeruara; deri më sot, nuk është paraqitur asnjë provë përfundimtare që të tregojë se dëmtimet e përmendura nga z. Marles kanë qenë sabotim. Por ato kanë të drejtë për cenueshmërinë e këtyre arterieve të tregtisë.
Dhe kompanitë private që ndërtojnë dhe operojnë pothuajse të gjitha kabllot nënujore të botës nuk po presin që qeveritë t’i mbrojnë më mirë. Ato po ndërmarrin gjithnjë e më shumë hapa vetë për të shmangur ujërat më të kontestuara të Azisë.
Azia dhe Australia janë të lidhura sot me Europën përmes kabllove me fibra optike, të cilat zakonisht ndjekin vijat bregdetare të kontinentit aziatik përpara se të ngjiten drejt Detit të Kuq.
Por kombinimi i bumit të Inteligjencës Artificiale dhe gjeopolitikës po e ridrejton trafikun e kabllove përmes Oqeanit Indian dhe Paqësor.
Kjo gjeografi e re shmang pikat e ngushta strategjike si Ngushtica e Malakës dhe ujërat e kontestuara si Deti i Kinës Jugore. Një pjesë e madhe e saj e shmang krejtësisht Azinë Juglindore, duke kaluar nga Lindja e Mesme dhe India drejt Australisë dhe më pas përmes ishujve të Paqësorit drejt Amerikës.
Kablloja e parë që ndoqi këtë itinerar të ri u vendos në vitin 2022, duke lidhur Omanin me Australinë, me degëzime drejt bazës ushtarake anglo-amerikane në Diego Garcia dhe Ishujve Cocos, një territor i vogël australian në Oqeanin Indian.
Më pas, vitin e kaluar, Google njoftoi se Christmas Island, një tjetër territor australian në Oqeanin Indian, do të shndërrohej në një qendër të një rrjeti të ri kabllor që do të lidhë Australinë me Lindjen e Mesme.
Fibra optike do të shtrihet nga Omani, përmes Maldiveve, deri në Christmas Island, dhe më pas do të vazhdojë drejt Australisë. Edhe Project Waterworth i Meta-s, një rrjet global kabllor me vlerë 10 miliardë dollarë, që është ende në zhvillim, pritet të ndjekë një itinerar të ngjashëm në Oqeanin Indian.
Ndryshimet
Ndryshimi i parë që po rikonfiguron rrugët e kabllove lidhet me atë se kush i financon ato. Kabllot nënujore janë të kushtueshme. Për të ndarë kostot, gjatë pjesës më të madhe të dekadave të fundit, kompanitë e mëdha kombëtare të telekomunikacionit krijonin konsorciume për ndërtimin e tyre.
Në vitin 1999, një nga kabllot e para të mëdha me fibra optike mes Europës dhe Azisë, i njohur si SEA-ME-WE 3, kushtoi 1.3 miliardë dollarë dhe kishte 92 partnerë në konsorcium.
Financimi dhe planifikimi i një kablloje nga kaq shumë kompani prirej të rriste kostot dhe të vononte shtrimin e saj. Pasi sigurohej financimi, numri i madh i partnerëve e afronte itinerarin pranë kontinentit aziatik, ku ndodhej pjesa më e madhe e klientëve.
Por bumi i Inteligjencës Artificiale po ndryshon ekonominë e biznesit të kabllove nënujore dhe gjeografinë e tij. Gjatë dhjetë viteve të fundit, gjigantët e internetit kanë nisur të financojnë dhe ndërtojnë kabllo të vetëm.
Kjo ka thjeshtuar procesin e mbledhjes së fondeve dhe planifikimit, si edhe ka shkurtuar kohën e nevojshme për projektet e reja kabllore. Google investoi në kabllon e saj të parë në vitin 2008.
Që atëherë ka financuar të paktën 34 të tjera, 18 prej të cilave i zotëron pa partnerë. Gjithnjë e më shumë, kompani si Meta, Google dhe Microsoft po ndërtojnë kabllo jo për të lidhur qendrat e popullsisë, por për të lidhur qendrat e tyre të të dhënave.
Dhe ato po i ndërtojnë me ritëm të shpejtë. Sipas një vlerësimi, në katër vitet e ardhshme, investimet e reja në kabllo do të arrijnë mesatarisht 4 miliardë dollarë në vit, ku pjesa më e madhe do të vijë nga të ashtuquajturit hyperscalers, që kërkojnë të fitojnë garën e Inteligjencës Artificiale.
Edhe pse shërbimi i internetit satelitor nga kompani si Starlink po bëhet më i lirë, përcjellja e çdo gigabajti të dhënash në hapësirë mbetet shumë herë më e shtrenjtë sesa transmetimi i dritës përmes një kablloje dhe ka gjasa të mbetet kështu edhe për shumë vite. Për këtë arsye, kabllot nënujore ende transportojnë 99% të trafikut ndërkontinental të internetit në botë.
Ndërsa tregu i kabllove nënujore po integrohet gjithnjë e më shumë vertikalisht, ai po zgjerohet edhe gjeografikisht.
Të çliruara nga nevoja për të kaluar pranë qendrave të populluara, anijet po vendosin kabllo nënujore përmes oqeaneve të hapura më shumë se kurrë më parë.
Itineraret e reja janë projektuar për të shmangur shtratin e detit që kontrollohet nga Kina ose nga qeveri që mund të kërkojnë pagesa për vendosjen ose riparimin e kabllove në pika strategjike të ngushta, si ngushticat indoneziane.
Rreziku gjeopolitik është bërë veçanërisht i madh në Detin e Kinës Jugore, ku Kina ende nuk ka vendosur kontroll të plotë mbi sipërfaqen detare, por ushtron de facto sovranitet mbi shtratin e detit.
Sipas së drejtës ndërkombëtare, shtetet nuk duhet të ndërhyjnë në riparimin e kabllove jashtë ujërave të tyre territoriale. Megjithatë, riparimi i çdo kablloje brenda të ashtuquajturës “vija me nëntë viza” (nine-dash line) të Kinës – e cila shtrihet më shumë se një mijë kilometra nga brigjet kineze dhe që Pekini e pretendon si kufirin e ujërave të tij – kërkon miratimin e autoriteteve kineze.
Edhe kabllot që kalojnë nëpër pika strategjike si Ngushtica e Malakës përballen me rreziqe të ngjashme, thotë Samuel Bashfield, studiues i kabllove nënujore në Universitetin La Trobe në Australi.
Rregullat që ndryshojnë vazhdimisht nga vendet bregdetare, si Malajzia dhe Indonezia, synojnë të përfitojnë ekonomikisht nga operacionet e kabllove, për shembull duke kërkuar përdorimin e anijeve vendase.
Këto mund të jenë pengesa të kushtueshme. Por deklaratat e fundit të presidentit dhe ministrit të Financave të Indonezisë, të përballur me mungesë fondesh, mbi mënyrat se si vendi mund të përfitojë nga pozicioni i tij përgjatë disa prej rrugëve detare më të rëndësishme në botë, sugjerojnë se mund të pasojnë masa edhe më agresive.
Për t’i shmangur këto rreziqe, gjithnjë e më shumë trafik interneti po devijohet nga këto zona. Rrjetet e reja të Google dhe Meta kalojnë nga Lindja e Mesme, përmes Australisë, dhe më pas drejt Japonisë, Koresë së Jugut ose Shteteve të Bashkuara.
Në Oqeanin Paqësor, kabllot po përdorin gjithnjë e më shumë Guamin si një qendër lidhëse për aleatët e SHBA-së në Azi.
Këto itinerare të reja janë pjesë e një infrastrukture gjithnjë e më të ndarë të internetit nën oqean: që nga koha kur Barack Obama ishte president, nuk është miratuar asnjë kabllo e re që lidh drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara me Kinën./Monitor





