Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, e konsideron kreun e LSI-së Ilir Metën, një kandidat të fortë për President.

Kryediplomati thekson se kandidimi i Metës do të varet nga koalicioni dhe votat që janë në Parlament.

“A mund të jetë kandidat, natyrisht që është kandidat i fortë për President”, u shpreh Bushati në emisionin “Debati” në “Channel One”, të gazetarit Roland Qafoku.

“A mund të jetë kandidat? Natyrisht që është kandidat i fortë për President, por kjo varet nga Meta, nga koalicioni, nga votat në Parlament. Një njeri që ka qenë Kryeministër, ministër i Jashtëm, ministër i Ekonomisë, kryetar Parlamenti, kur lexon CV-në dhe sheh kontributin, ai është një kandidat i fortë për President, por mendoj që politika shqiptare nuk është tek emri. Fillimisht duhet të ketë një diskutim se çfarë profili duhet ta kemi Presidentin e Republikës”, u shpreh Bushati.

Bushati ka hedhur poshtë thashethemet për raportet e tij të tendosura me kryetarin e LSI-së dhe njëherazi kreun e Kuvendit, Ilir Meta.