Drejtuesi i shtabit elektoral të kandidatit Ardian Muka, deputeti Oerd Bylykbashi, përmes një reagimi në rrjete sociale ka falenderuar të gjithë ata që u bënë pjesë e fushatës për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.

Ndërsa falenderon mikun e tij Ardian Muka që u përfshi në garën për bashkinë e Durrësit, Bylykbashi thekson se strukturat “u përballën me PS duke pasur tradhtinë e Lulzim Bashës pas shpine”.

Duke u ndalur tek fitorja e koalicionit “Shtëpia e lirisë” në bashkinë e Shkodrës, Bylykbashi thotë se ajo është kurorëzimi i lëvizjes disa mujore për ringjalljen e demokracisë dhe pluralizimit.

“Një bravo e madhe demokratëve dhe qytetarëve shkodranë për fitoren që qëndron si kurorë e një lëvizje shumëmujore për të ringjallur demokracinë, mbrojtur pluralizmin dhe rikthyer shpresën dhe lirinë.

Bashkë me shpresë e besim tek ndryshimi, fitohet kjo betejë!”,- shkruan Bylykbashi.

Postimi i plotë:

Faleminderit miku, kolegu e bashkëqytetari Ardi Muka për marrjen përsipër të një sfide të jashtëzakonshme në një kohë të vështirë.

Faleminderit miq anëtarë dhe drejtues të strukturave të Partisë Demokratike, anëtarë të FRPD dje LDG që së bashku, përkrah Ardit, bëmë fushatën për kryebashkiak më të mirë që kemi bërë ndonjëherë, përballë partisë-shtet që intimidon, korrupsionit dhe krimit që mbysin votën e lirë, që bëjnë çmos t’i largojnë nga qendrat e votimit.

U përballët me PS duke patur tradhëtinë e Lulzim Bashës pas shpine.

Faleminderit Prof. Dr Berisha që nuk u kurseve asnjë moment në këtë fushatë.

Faleminderit komisionerëve, vëzhguesve dhe numëruesve që u angazhuat pa kursim e në kushte të vështira për të mbrojtur votën që kërkoi ndryshim.

Faleminderit kolegë e miq të degëve të tjera të PD që punuat bashkë me ne pa u lodhur deri në fund.

Faleminderit aleatëve, veçanërisht LSI që, nën siglën e Shtëpisë së Lirisë, punuan bashkë me ne në përpjekje për të fituar Durrësin.

Faleminderit qytetarë të lirë që besuat tek opozita e vërtetë që nuk bën pazare në kurriz të aspiratës suaj për një vend, qytet, fshat, familje më të mirë.

Një bravo e madhe demokratëve dhe qytetarëve shkodranë për fitoren që qëndron si kurorë e një lëvizje shumëmujore për të ringjallur demokracinë, mbrojtur pluralizmin dhe rikthyer shpresën dhe lirinë.

Më 11 dhjetor 2021 vendosëm rithemelimin e PD, dhe më 6 mars 2022 hodhëm kolona të forta.

Bashkë me shpresë e besim tek ndryshimi, fitohet kjo betejë!