Marrëdhëniet mes Partisë Socialiste dhe Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet duket se janë në ditët e tyre më të mira.
Pak ditë pas fitores së PS-së në Dibër, ku një rol të rëndësishëm, të evidentuar edhe nga socialistët, kishte partia e Shpëtim Idrizit, ditën e sotme është njoftuar marrja e një drejtorie të rëndësishme.
“Panorama” shkruan se mëngjesin e sotëm ka dhënë dorëheqjen Doris Andoni, drejtoresha e Entit Kombëtar të Banesave e në vend të saj është emëruar një përfaqësuese e PDIU-së.
Prej gati dy vjetësh, PDIU-ja ka braktisur opozitën, me të cilën doli në zgjedhjet e vitit 2013 dhe është rreshtuar në maxhorancë.
Rritja e saj, si në vota, në zgjedhjet e 2015-s, ashtu edhe në përfaqësim në qeverisje, ka bërë që shumë analistë të flasin për një skenar të kryeministrit Rama për të shmangur Ilir Metën duke pasur pikërisht votat e PDIU-së.
Kjo forcë politike ka 5 deputetë në Kuvend pas largimit të Dashamir Tahirit dhe afrimit të Mesila Dodës.
Postet e PDIU-së:
*Enti Kombëtar i Banesave
*Drejtoria e Arkivave
*Drejtoria e Automjeteve
*ISKSH
*Autoriteti Kombëtar i Ushqimit
*Inspektorati i Kontrollit të Karburanteve
/Panorama





