Më datë 8 dhe 9 tetor, mbreti i muzikës italiane dhe një nga idhujt më të dashur për shumë shqiptarë, Adriano Çelentano ka planifikuar të mbajë një koncert madhështor. Por shpirti kreativ i Çelentanos është gjithmonë në vigjilencë të plotë ndaj gjithçkaje, dhe duke qenë se populli i tij, ashtu si shumica e popujve të Europës dhe botës gjenden në mes të një krize të vështirë ekonomike, ka vendosur që më shumë se 50 për qind të biletave për koncertin e tij t’i shesë me një euro. 6000 bileta u shiten për çmimin simbolik prej 1 euro, ndërsa pjesa tjetër, rreth 5200 do të kushtojnë duke filluar nga 90, 120 dhe 165 euro, në varësi të pozicionit.
Një manovër e vogël, por shumë domethënëse kjo nga ana e të madhit Çelentano, i cili gjithmonë është shquar për shpirtin e tij të iniciativës dhe sensibilizimit mbi problemet e ndryshme sociale dhe politike.Sipas të dhënave të para, koncerti mendohet të jetë një show i vërtetë, i ndarë në dy net, dhe Çelentano mendon t’i vërë një emër, për të cilin ende nuk dihet ndonjë gjë e sigurt. I ftuari i nderit dhe i vetmi i ftuar i show do të jetë miku dhe kolegu i tij, Gianni Morandi me të cilin do të këndojë edhe disa duete në skenë.
Sipas njerëzve që janë afër Çelentanos, ai ndihet shumë i entuziazmuar që do të jetë sërish pranë adhuruesve të tij me një koncert, pas një periudhe shkëputjeje, dhe ideja e biletave me një euro është tërësisht e tija, madje thuhet se i këngëtari i madh ishte i panegociueshëm në këtë pikë.