Barcelona ndalet sërish, këtë herë në shtëpi, ndërsa Celta Vigo konfirmohet si ‘macja e zezë’ e skuadrës katalanase. Messi me shokë nuk arritën të shkojnë më tepër se një barazim 2-2, në një sfidë ku pavarësisht lojës së mirë, u vunë re probleme në finalizim. Edhe këtë herë, ashtu si në sfidën me Valencian, nuk munguan polemikat. Suarez shënoi një gol të rregullt në pjesën e parë, por që nuk ishte i tillë për arbitrin e takimit, që vendosi të mos e akordojë.

Celta Vigo kaloi e para në avantazh, me golin e Aspas në minutën e 20′, por katalanasit u kundërpërgjigjën vetëm 2 minuta më pas me anë të yllit argjentinas Lionel Messi. Ky i fundit shfrytëzoi mjaft mirë një pasim të mesfushorit brazilian Paulinho dhe nuk fali përballë portierit.

Në minutën e 62-të ishte radha e uruguaianit Suarez, që të dërgonte topin në rrjetë dhe t’i jepte avantazhin Barcelonës. Gjithsesi, Celta nuk u dorëzua dhe këmbëngulja e saj u shpërblye vetëm 8 minuta më pas, me golin e barazimit të shënuar nga Gomez.

Përfundon 2-2 dhe Barcelona nuk rrezikon të humbasë kreun e renditjes, por tani mund të reduktohet diferenca me ndjekëset, veçanërisht me Valencian dhe skuadrat e Madridit, nëse fitojnë ndeshjet respektive. Reali dhe Atletiko, nëse fitojnë sot, mund të shkojnë në -6 nga katalanasit, një rikuperim mjaft i rëndësishëm në vetëm 6 ditë, pasi javën e kaluar Barcelona kishte 10 pikë më tepër.