Organizatorët e Lojërave Olimpike “Tokio 2020” kanë konfirmuar medaljet që do të jepen gjatë Olimpiadës që zhvillohet pas 18 muajsh do të jenë 100% të përbëra prej materialeve të ricikluara. Kjo ishte pjesë e një projekti që ka nisur që në janar të vitit 2017, ku synimi ishte që të mblidheshin materiale elektronike të vjetra, si celularë, kompjutera apo laptopë, të cilat nuk përdoreshin më.
Objektivi ishte që të grumbulloheshin 30.3 kg ar, 4.100 kg argjend dhe 2.700 kg bronz. Organizatorët bënë me dije se sasia që nevojitet për medaljet e bronzit është arritur që në qershor të vitit të kaluar. Ndërkohë që janë mbledhur 90% e sasisë që nevojitet për medaljet e arta dhe 85% e sasisë që nevojitet për medaljet e argjendta.
Objektivi pritet që të realizohet brenda marsit të këtij viti. Vetëm pasi të jetë siguruar i gjithë materiali i nevojshëm organizatorët do të prezantojnë edhe modelin e medaljeve të reja. Në Olimpiadën e fundit “Rio 2016”, medaljet olimpike ishin 30% të përbëra nga material i ricikluar, ndërsa në “Tokio 2020” ato do të jenë 100% të përgatitura nga materiali i ricikluar.