Nga Qemal Dervish*

Në shumicën e demokracive të zhvilluara ka kundërvënie midis partive të mëdha të qendrës së djathtë dhe të majtë. Sigurisht, shkalla në të cilën një sistem zgjedhor favorizon partitë e mëdha – pragu i lartë i votave të popullsisë për të hyrë në parlament ose zonat zgjedhore me një mandat – ndikon në shkallën e copëtimit politik. Megjithatë shumica e demokracive të zhvilluara karakterizohen nga konkurrenca midis partive të mëdha centriste të majta dhe të djathta. Atëherë çfarë duhet të bëjnë centristë të vërtetë si kryeministri teknokrat i nderuar i Italisë, Mario Monti?

Duhet saktësuar se prirjet rajonale dhe etnike në disa vende në Evropë luajnë një rol serioz – për shembull, në Skoci, Belgjikë, dhe Katalonjë – por shumë më tepër shfaqen në vendet në zhvillim, ku ndasitë politike gjithashtu karakterizohen nga rrethana specifike post-koloniale dhe shpesh nga trashëgimi të sundimit mono-partiak. Nga ana tjetër, edhe në demokraci të “tregut në zhvillim”, të tilla si Kili, Meksika, Koreja e Jugut, dhe India, copëtimi në parti të djathta dhe të majta luan rol të rëndësishëm ndërkohë që pretendojnë se janë politikisht centriste, në përgjithësi mbeten të dobëta.

Liberal-demokratët  britanikë, për shembull, janë përpjekur pa sukses për dekada të tëra të bëhen parti e tretë e fuqishme e qendrës. Ndërkaq në SHBA terminologjia politike ka dallime, Partia Demokratike, qysh nga koha e presidencës së Frenklin Ruzveltit (Franklin Roosevelt), u bë vërtet forcë e qendrës së majtë, Partia Republikane ka zënë atë të djathtë, dhe nuk ekziston asnjë parti tjetër e rëndësishme.

Në Francë dhe Gjermani, vërehet një shkallë më e madhe fragmentimi. Në politikë vazhdojnë të dominojnë partitë e mëdha centriste – ajo e majtë dhe ajo e djathtë, por u kundërvihen grupe më të vogla – që zënë pozitë centriste ose ultra të djathtë ose ultra të majtë. Në disa vende, “të gjelbrit” kanë identitetin e tyre, afër së majtës, por, me gjithë progresin e dukshëm në Gjermani, nuk janë në gjendje të arrijnë madhësinë elektorale të partive të mëdha të qendrës së djathtë dhe të qendrës së majtë.

Variacione të kësaj strukture themelore ekzistojnë në Spanjë, Portugali, Greqi, Turqi dhe vendet Evropës Veriore. Situata është veçanërisht interesante në Itali, ku Monti, pasi vendosi të marrë pjesë  në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, u pozicionua me të djathtën (gjë që e sinjalizoi duke marrë pjesë në një mbledhje të krerëve të partive të qendrës së djathtë të Evropës). Ai dhe ish-kryeministri Silvio Berluskoni tani po luftojnë për hapësirë në të djathtën, ndërkohë që në sondazhet paraprake kryesojnë Demokratët e qendrës së majtë.

Ka të paktën katër dallime në qasjet centriste – të djathtë dhe të  majtë- ndaj sfidave sociale dhe ekonomike. Të djathtët  besojnë më tepër në mundësinë e tregjeve për të shpërndarë burime dhe për të siguruar stimuj të përshtatshëm; parapëlqejnë konsumin privat të të mirave publike; shqetësohen në minimum për pabarazinë ekonomike; priren më shumë nga nacionalizmi dhe janë më skeptikë ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar.

Të majtët, përkundrazi, besojnë se tregjet, veçanërisht, tregjet financiare, kanë nevojë për rregullim dhe mbikëqyrje të konsiderueshme shtetërore për të funksionuar normalisht; u japin peshë më të madhe të të mirave publike (për shembull, parqeve, një mjedisi të pastër dhe sistemeve të transportit publik); synojnë të reduktojnë pabarazinë ekonomike, duke menduar se pabarazia minon demokracinë dhe ndjenjën e drejtësisë, të domosdoshme për mirëqenien, dhe janë në një shkallë të madhe të  gatshëm të vazhdojnë bashkëpunimin ndërkombëtar, si një mjet për sigurimin e  paqes dhe të të mirave publike globale, të tilla si mbrojtja e klimës.

Duke parë politikat aktuale ekonomike se si kanë evoluar gjatë dekadave, shohim se ata gjithmonë kombinojnë elemente të qendrës së djathtë dhe të qendrës së majtë. Krizat e përsëritura financiare kanë vrarë besimin e të djathtëve te tregjet e parregulluara, ndërsa të majtët nisën të bëhen më realistë dhe të kujdesshëm në planifikimin shtetëror dhe procedurat administrative. Në mënyrë analoge, zgjedhja midis mënyrës private  dhe mënyrës publike të konsumit të “të mirave” është mjegulluar shpesh, pasi priren të përforcojnë tendencën plotësisht të kuptueshme të qytetarëve për të kërkuar të mira publike, ndërsa refuzojnë të paguajnë taksat e nevojshme për to.

Me rritjen e pabarazisë të të ardhurave – në mënyrë dramatike në disa vende, për shembull, në SHBA – kjo çështje po lëviz në ballë të debatit, duke përforcuar ndarjen tradicionale politike. Megjithatë, centristët e djathtë dhe ata të majtë po debatojnë mbi shkallën e rishpërndarjes por jo për  domosdoshmërinë e njëfarë vendosjeje progresive të taksave dhe transfertave. Të dy palët gjithashtu bien dakord mbi nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar në një botë gjithnjë e më të ndërvarur dhe debatojnë  kryesisht se sa përpjekje duhen bërë për atë .

Pra, përse partitë e qendrës mbeten të dobëta duke pasur parasysh se dallimet në politikat janë zhvendosur fuqishëm nga çështjet e realizimit në shkallën se si zbatohen? Pse ata nuk arritën të bashkojnë dot zgjedhësit e moderuar nga të dy anët e ndarjes ideologjike?

Një nga arsyet është ajo se vetëm një pakicë e çdo popullsie është aktive politikisht. Anëtarë aktivë të partive kanë pikëpamje ideologjike shumë  të qëndrueshme – dhe mbahen pas atyre më fort – se shumica e atyre që janë politikisht më pak të angazhuar, duke u dhënë aktivisteve ndikim disproporcional në procesin politik. Në fund të fundit, idetë më të holla dhe propozimet politike relativisht është më e vështirë të përhapen mjaftueshëm në mënyrë efektive për krijimin e një mbështetjeje të gjerë dhe të thellë nga opinioni publik.

Por ekzistojnë vërtet dhe dallime themelore në vlerat dhe teorinë ekonomike, si dhe në interesat ekonomikë, duke çuar në një pozicionim mjaft të qëndrueshëm të votuesve të poleve – të djathtë apo të majtë. Mosmarrëveshjet mund të çojnë në kompromise, por kjo nuk ka ndryshon dallimet themelore të pozicioneve fillestare.

Ka gjasa, kjo është gjë e mirë se kështu ruhet konkurrenca e strukturuar midis partive të mëdha të qendrës së djathtë dhe të qendrës së majtë. Parti të tilla mund të ndihmojnë në integrimin e ekstremeve në jetën politike, duke mbështetur alternimin në pushtet, që ka rëndësi të madhe për dinamizmin e çdo demokracie – me një sistem të tillë është tejet e padëshirueshme që një parti e madhe centriste të mbetet për një kohë të gjatë. Ata, si Monti, që duan të zgjidhin problemet nga pozicioni i qendrës, sado personalitete mbresëlënëse të jenë, janë të detyruar të kapërcejnë pengesa serioze qoftë dhe për arsye të përligjura.

* Qemal Dervishi (Kemal Derviş), ish-ministër i ekonomisë i Turqisë, administrator i Programit të Zhvillimit të OKB-së (PNUD) dhe zëvendëspresident i Bankës Botërore, është aktualisht zëvendëspresident i “Brookings Institution”.

Marrë nga “Investigim”-i, që ka bërë përkthimin.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/