Nga Osman Metalla

Të dashur miq,
Në një intervistë të saj dhënë dy ditë më parë, Ambasadorja e Republikës së Greqise në Tiranë Znj. Kamitsi shprehet se “çështja e delimitimit të detit mes dy vendeve, e cila do të gjykohet në Hagë, pret përgatitjen e dosjes nga pala shqiptare për të marrë më pas edhe dakordësinë e Presidentit të Republikës”.

Çështja e delimitimit të hapësirave detare ka marrë vëmëndjen e opinionit të gjerë publik pikërist për rëndsinë që ajo mbart në vetvete për faktin së me anë të këtij delimitimi përcaktohen “kufijt” detarë të të dy vëndeve. I nisur afro 15 vite më parë, procesi i ndarjes së hapësirave detare ndërmjet dy vëndeve duket se nuk ka gjetur dakortësinë dhe se vëndet tashmë po përgatiten për të shkuar drejt arbitrit ndërkombëtar. Në fakt pala Shqiptare po përgatitet pasi pala Greke duket të jetë e gatëshme. Këtë dëshmon dhe deklarata e mësipërme e ambasadores Kamitsi.

Si janë gjasat tashmë që vëndet janë të vendosur të shkojnë drejt gjykatës ndërkombëtare?
A jemi ne të përgatitur dhe të gatshëm të përballemi për të arritur objektivin madjor për një ndarje të drejtë dhe të ndershme?

Lexova sot një shkrim të ish Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme z. Bushati i cili ndër të tjera trajtonte në mënyrë objektive dhe të ekuilibruar dhe ceshtjen e delimitimit te kufirit detar me Greqine. Në shkrimin e tij z. Bushati pasi bën një analizë teknike të delimitimit te kufirit detar mbështetur në parashikimet e konventës UNCLOS, ndër të tjera analizon dhe rrethanat e reja që duhen mbajtur në vëmëndje duke iu referuar ndryshimit të qëndrimeve të Greqisë në raport me efektin qe duhet të kenë ishujt dhe për këtë i referohet me të drejtë rastit Itali Greqi, rastit Greqi Egjipt duke theksuar fenomenin e ishullit Kastelorizo sa i përket ZEE dhe SHK, si dhe raste të tjera të ngjajshme.

Pavarësisht trajtimit të z. Bushati, duke mbështetur atë çfar shkruan, dëshiroj të theksoj se të gjitha referencat e përmëndura përbëjnë një precedent, por në mënyrë të padiskutueshme, ne duhet të trajtojmë të gjithë precedentët jo vetëm në rajon por dhe më gjerë. Reduktimi me vetëm 3,5% të efektit të ishullit Othonoi në rastin e delimitimit me Italinë, nuk përbën referencë të saktë, pasi rrethanat e veçanta me Shqipërinë bëjnë që ky ishull të ketë efekte edhe në gjerësine e detit territorial (tashmë që Greqia e zgjeroi gjerësinë në 12 milje detare). Njëkohësisht në asnjë rast gjatë të gjithë negociatave nuk përmëndet efekti që duhet të kishte vetë ishulli kryesor i cili ndodhet përballë bregut Shqiptar, ai I Korfuzit I cili në mënyrë të drejtpërdrejt i ndërpret të drejtën bregut Shqiptar (efekti ” cut-off”)për të gëzuar hapësirat detare.

Konkretisht në vendimin e Gjykatës Kushtetuese në paragrafin 107 thuhet: “…duhej të ishte vlerësuar veçmas jo vetëm ndikimi i ishujve të banuar Lazareto, Erikuza dhe Othonoi, por edhe i vetë ishullit kryesor të Korfuzit. Marrëveshja u jep (padrejtësisht) që të gjithëve efekt të plotë në caktimin e vijës kufitare, duke i barazuar plotësisht me dheun kontinental të vendit tonë”.

Ndaj dhe është shumë e rëndësshme që të trajtohen me përgjegjshmëri të lartë të gjithë elementët dhe precedentët që ndikojnë në një ndarje të drejtë dhe të ndërshme. Natyrisht për të mbërritur gjer në Hagë është një rrugëtim jo i shkurtër dhe një punë përgatitore kolosale.

Para se të shkohet në gjykatën ndërkombëtare mbase do të ishte e udhës që të bëhej një vlerësim të gjitha shanseve dhe alternativave që kemi përpara nëpërmjet një grupi ekspertësh (krysisht Juristë), dhe njëkohësisht duhet të:

Kompozohet një grup mjaft i mirë juristësh me eksperience në ligjshmërine detare ndërkombëtare dhe mundësisht dhe të kontraktohen ekspertë ndërkobëtare me experiencë në këtë fushë, se bashku me nje ekip specialistësh të fushave përkatëse si gjeografë, hartografë, ekspertë peshkimi, gjeologë, historian, ekspertë të marinës etj, për të grumbulluar dhe analizuar të gjitha faktet e mundëshme që ekzstojne brënda vendit, ne eksperiencë ndërmjet dy vëndeve dhe precedentët ndërkombëtarë.

Duhet të përgatitet vija e pretenduar e delimitimit si dhe të përcaktohet qartë pozicioni i palës tonë lidhur me pretendimet e ngritura.

Është e një rëndësie të veçantë që vajtja në gjykatën ndërkombëtare nuk duhet ta fillojë procesin nga pika zero. Çfar është dakortësuar dhe pranuar nga grupet negociatore të vëndeve (vija e drejtë bazë dhe dakortësi të tjera) duhet të konsiderohet dhe puna përgatitore duhet të konsiderojë të gjithë këto dakortësi.

Vetëm me një përgatitje serioze dhe me objektiva të qarta, duhet të shkohët në gykatë ndërkombëtare, përndryshe nuk kemi bërë tjetër veçse transferim të përgjegjësisë nga qeveria e Shqipërisë tek Gjykata Ndërkombëtare pa u shqetësuar me tej për rezultatin që do të vijë në një rast të tillë.

Vendimi i gjykatës është i formës së prerë dhe i deyrueshëm për tu zbatuar nga palët, ndaj dhe në anjë rast nuk duhet të nxitojmë për të “përmbushur afatet” por duhet të shkohet për të arritur objektivat dhe mbrojtur intresat tonë Kombëtarë. Presioni politik i bërë ng apala Greke lidhur me çështjet e integrimit të vëndit, nuk është tjetër veçse një mënyrë për të na bërë të nxitojmë, dhe nxitimi pothuaj gjithnjë të çon në vendime të gabuara…

O.M 07.02.2023