Forumi mbledh anëtarë të moshave të ndryshme, nga vende të ndryshme, me eksperienca jete të ndryshme. Duke u nisur nga ky fakt dhe duke dashur t'ju mbledh të gjithë në një temë si kjo, mendova se do të ishte e udhës që të bënim një pyetje paksa ndryshe nga herët e tjera:
Çfarë ju ka mësuar jeta?
Me pak fjalë, secili prej jush është i ftuar që të ndalet e të ulet pak e të meditojë mbi jetën e tij dhe për ato vite që mban mbi supe. Pasi ta bëni këtë gjë, mundohuni të dilni me një listë këshillash për të gjithë anëtarët e këtij forumi, këshilla që ju i keni mësuar nga jeta juaj.
Kjo temë është e veçantë pasi nuk është një temë diskutimi, është një temë ku secili prej jush hedh disa këshilla për të gjithë anëtarët e forumit, këshilla që sipas jush do t'u vinin në ndihmë të tjerëve pavarësisht nga mosha apo eksperiencat e jetës. Çdo anëtar i forumit është i ftuar të shprehë mendimin e tij dhe të lexojë në heshtje këshillat e anëtarëve të tjerë.
Jeta pa llogaritur sa vite ka dikush në kurriz të mëson shumë gjëra, të mëson që mund të gabosh dhe sesi të mos i përsërisësh këto gabime. Mua jeta më ka mësuar sesa e shkurtër është që të shpenzohet me inate, urrejtje, pengje apo "qarje" dhe sa e vlefshme është kur zëvendësohet me dashuri, mirësi dhe dhembshuri. Më ka mësuar sesa e bukur mund të bëhet nëse ato që përmenda arrin t’i bësh pjesë të jetës dhe t’i ndash me të tjerët. Më ka mësuar sesa mund të të vrasë një fjalë e thënë pa menduar, apo një veprim i pamatur dhe sa e vështirë mund të jetë për ta riparuar. Më ka mësuar që të jem e përgjegjshme për veprimet e mia, të kërkoj falje për gabimet e mia dhe të fal gabimet e të tjerëve. Më ka mësuar të injoroj të keqin, por jo të keqen. Më ka mësuar vështirësitë dhe hallet e shumta që të bien në kurriz dhe sesi mund të përballohen ato.Dhe mbi të gjitha më ka mësuar që vjen një ditë, që ajo që ka rëndësi nuk është se çfarë bën dhe çfarë mendon, se çfarë thua apo vepron. Vijmë në këtë botë dhe një ditë do të ikim. Ajo që me të vërtetë ka rëndësi është se çfarë lemë pas.T

Nimfa Sofia Bega: Jeta mua më ka mësuar se është luftë për ekzistencë, ndërkohë që kjo luftë herë pas here ngjyroset me ngjyrat e ylberit e herë bëhet e zymtë si vetë lufta. Nuk mundem mos të them se e Dashuroj Totalisht këtë jetën time!

Zhak Çezari:Tema është interesante, por mjaft abstrakte. Edhe sikur dikush të ulej dhe të shkruante çfarë i ka mësuar jeta, asgjë nuk do të ishte e saktë, sepse varet nga gjendja shpirtërore e momentit. Nimfa e quan "luftë për ekzistencë" dikush tjetër e quan "forca lëvizëse" pa të cilën jeta nuk do të ekzistonte. Të gjithë bëjnë atë që i duket më mirë, të gjithë ankohen nga ajo që nuk bëjnë dot. Por një gjë është e qartë, që TË GJITHË po t’i jepej mundësia do të fillonin nga fillimi. I vetmi konkluzion i imi është, që jeta është e shtrenjtë.

Mimoza Saliaj: Jam dakort me Zhakun. Çdo kush ka mësuar nga jeta në rrethana krejtësisht specifike për të. Nëse unë kam nxjerrë mësim nga jeta duke kaluar në prova shumë të vështira, dikush tjetër se ka atë fat dhe kurrë mos e pastë. Unë s’kam se si i jap këshilla, por një gjë mund të them që asnjëherë se dimë se sa të lumtur jemi, po nuk provuam një humbje.

Aneo Zhurka: Jeta është një lojë ku nuk ka as të fituar dhe as të humbur, por ka vetëm lojtarë, të ndërgjegjshëm ose të pandërgjegjshëm për këtë lojë, ku lojtari, arbitri dhe jeta janë të shkrirë te secili prej nesh.

Artan Brucaj: Jeta më ka mësuar të jetoj në varfëri e njëkohësisht ta dua jetën përsëri. Jeta më ka mësuar të jetoj në pasuri e prapë ta dua jetën. Jeta më ka mësuar çfarë është dhembja dhe ta duroj atë e prapë ta dua jetën. Jeta më ka mësuar çfarë është gëzimi dhe prapë e dua jetën. Jeta është gjithçka për mua. Ia vlen çdo sekondë ta jetoj, ta ndjej, ta dashuroj, ta duaaaa ashtu si është.

Linda Kadiu Hajdhi: Jeta e çfarë mund të flasësh për jetën? Tek secili nga ne ajo vjen me një mënyrë të veçantë. Tek secili nga ne ajo lë gjurmë, tamam si ajo vala e detit që përplaset në breg e përsëri ikën mbrapsht. Jeta është e bukur me të mirat dhe të këqijat e saj. Kam mësuar sesi çdo sekondë, orë dhe ditë ta jetoj në mënyrën më të mrekullueshme, sepse ajo ikën dhe s’vjen më. Jeta është luftë për rezistencë. Jeta është llotari (thonin prindërit tanë), për mua jeta është një mrekulli, prandaj dhe unë e dua atë. Jeta është një libër që shkruhet çdo ditë, por që s’ka fund. Njerëzit përballen me shumë sfida në jetë, por më e vështira është si të mbeten njerëz.

Iljaz Bajraktari: Jeta është e thjeshtë dhe e komplikuar, jeta është e lumtur dhe e trishtuar, jeta është me shëndet të plotë dhe me sëmundje, jeta ka dashuri por ka dhe urrejtje, jeta është e qetë por dhe e trazuar. Jeta është e drejtë, por dhe e padrejtë. Jeta është dhe me fat dhe e pafat, jeta është e gjatë, por dhe e shkurtër. Mund të jetosh vetëm për vetë, por mund të jetosh dhe për të tjerët. Mund të jetosh dhe për vete edhe për të tjerët. Në jetë veten mund t’a ndryshosh po ashtu dhe të tjerët mund t’i ndryshosh, ose as veten as të tjerët. Në të gjitha rastet çdo njeri duhet t’i bëjë pyetje vetes përse jetoj dhe kur ka gjetur një përgjigje duhet të pyesi veten a është kjo përgjigja e jetës. Jeta është ose përmirësim i vetes, ose përkeqësim i saj. Njeriu duhet të jetë pozitiv në jetë dhe të mendojë që secili ka një jetë të tijën.

Eny Biduli:Jeta është një libër i pa shkruar, ku në çdo faqe të saj, në çdo moment na jepet mundësia të zgjedhim çfarë mendojmë dhe ndjejmë në lidhje me shpirtin që na përket. Nuk ka fjalë më të përshtatshme që mund të them, sesa fjalët e shprehura nga S.Jobs: "Stay Hungry. Stay Foolish".

Çela Kastriot: Për çfarë jete flitet? Shumica jonë bëjnë jetën e të tjerëve, imitojnë mënyrën e jetesës dhe mënyrën e të menduarit nga të tjerët. Jetojmë në një shoqëri plot me rregulla që duam apo nuk duam duhet të qëndrojmë brenda këtyre mizurave apo rregullave që ekzistojnë, sepse po të krijojmë me të vërtetë rregullat tona personale shoqëria të etiketon (ose i çmendur, ose jashtë ligjit), kështu mund të themi që të gjithë pak o shumë kemi mësuar të njëjtat gjëra nga "JETA", sepse rregullat janë njësoj për të gjithë. Ekziston fakti që një ka mësuar më shumë dhe një tjetër më pak. Pra? Nuk mjafton vetëm të jetosh, por edhe duhet të dish se për çfarë jeton. Derisa unë kam një dëshirë, unë kam një arsye për të jetuar. Kënaqshmëria është vdekja. (George Bernard Shaw).

Syrja Kurti: Mendoni se këshillat e dikujt do i bëjnë mirë dikujt tjetër? Çdo njeri është unik në llojin e tij dhe rruga që ai përshkon është po aq unike. Asgjë nuk përsëritet, rrethanat nuk janë të njejta për asnjë. Duhet që të mbetemi njerëz deri në fund, sepse sa më shumë kalojnë vitet aq më shumë njeriu merr nga kafshët. Më lejoni të citoj diçka nga disa njerëz të mëdhenj. Në fakt ka shumë thënie dhe postulate për jetën, por mua personalisht më pëlqejnë më shumë dy shprehje që duke ju marrë leje po i ve të dyja. "Jeta është lojë dhe rregulli i parë është që duhet të hiqemi sikur nuk është" (Alan Wats). "Jeta është si një pasqyrë, të qesh nëse e shikon duke qeshur dhe të qan nëse e sheh duke qarë" (Jim Morrison). Më pëlqen jeta dhe jam munduar ta jetoj në mënyrën më të mirë të mundshme, me plot gabime dhe me plot të mira si të gjithë. Këshilla nuk jap dot se nuk këshilloj dot as veten time. Mundohem të jetoj jetën dhe të marr me të mirat e saj.

Fatmir Lazo: Mendoj se ndoshta eksperiencat tona, ato të çdokujt që mund t’i shërbejnë dikujt, mund të jenë këshilla për dikë që gjendet në të njëjtat rrethana, apo vështirësi të ngjashme me ato që ne kemi kaluar në jetë. A nuk na shërbejnë ato dhe neve vetë? Këto eksperienca a nuk na bëhen mësime për të ardhmen? Pastaj, mendoj që secili mund të flasë apo jo për ato që jeta i ka mësuar atij, personalisht dhe jo fraza filozofike që gjeneralizojnë sikur jeta do të ishte e njëjtë për të gjithë. Pikërisht, sepse secili nga ne është i ndryshëm, pikërisht, sepse secili nga ne i ka bërë ballë jetës së tij, nga mënyra e të menduarit, nga mënyra e pjekurisë, nga zgjidhja që ka marrë në momentin e duhur, pikërisht këto kërkohen, pikërisht këto mund t’i shërbejnë dikujt. Por kemi një difekt ne në pergjithesi, na mungon pak durimi, përqëndrimi. Këtu në facebook na është bërë zakon të hidhemi dhe të komentojmë përnjëherë. Shumë herë nuk ka nevojë shumë për reflektim, por kur kemi të bëjmë me tema të tilla mendoj se pak çaste meditimi do të ishin të nevojshme, pa ofenduar asnjeri vetëkuptohet. Përgjigjet e secilit japin një lloj ideje mbi karakterin e tij dhe për të bërë pak humor, jeni me të vërtetë karakter shqiptari. Në fakt për jetën ka shumë thënie që në përgjithësi janë të vërteta, por atë që ti ke jetuar, apo unë, apo secili nga ne dhe mënyra se si ne kemi vepruar, këtë asnjë filozofi nuk mund të ta tregojë. Çdo moment jete është moment i veçantë. Këtë vetëm ti mund ta shpjegosh, vetëm ti mund t’i japësh zgjidhje dhe askush tjetër, pra për këto momente flitet këtu dhe jo për jetën në përgjithësi. Jo jeta e aparencës, ajo që duhet të ndjekim rrymën që mos të merremi për të çmendur apo idiotë. Duke filluar nga vetja, se ndoshta ndonjëri do thotë "mirë e ke ti, po çfarë po na thua nga vetja" dua të them se ato që më kanë bërë të ecë gjithmonë përpara, përveç këshillave dhe mendimeve që më kanë dhënë prindërit e mi, janë pikërisht eksperiencat e të tjerëve. Që i vogël kam kërkuar gjithmonë të interesohem për çdo gjë që të mëdhenjtë diskutonin. Ndoshta me orë të tëra rrija në heshtje duke mësuar. Njohja e tjetrit është shumë interesante. Është ajo që më ka pasuruar prej kohësh. Më pas, observacioni! Me kohë arrita të dalloja në çdo moment situatat, në të cilat ndodhesha dhe të ruaja kontrrollin. Njerëzit për mua kanë qënë gjithmonë njëlloj, asnjë më poshtë asnjë më superior. Duke dëgjuar nga të gjitha shtresat, këto u kthyen në thesar për mua, në një bibliotekë ku historia e secilit më jepte këshilla, por gjithashtu më nxorri nga përqëndrimi në vetvete. Po shpjegohem: Njeriu ka përshtypjen gjithmonë se problemet e tij janë më të vështirat dhe se askush nuk i di hallet e tij. Pra çdo gjë që mendon, e ka mbi vetveten, pra një përqëndrim në vetvete. Përkundrazi, duke u hapur me njerezit, dallova që problemet janë tek çdokush, pak a shumë ashtu si të tuat, secili sipas nivelit të tij. Në këto momente kupton që ndoshta ato të tuat nuk janë dhe aq të vështira sa të duken. Dalëngadalë fitova njëlloj qetësie, e cila më dha durimin, shpresën. Një ditë ishim mbledhur me shokë tek lulishtja “1 Maji” si çdo mbrëmje dhe në biseda e sipër një shok i imi më thotë:  Ku i dihet o Miro, sot jemi këtu, nesër mund të jemi poshtë kullës Eifel duke pirë kafe. Qeshëm me të madhe. E kujt i shkonte ndermend në atë kohë. Një kohë pa asnjë lloj shprese për gjithë atë rini. Jeta bëri që 1 vit më pas, ai u arratis dhe një vit pas tij, u ula në një kafe jo shumë larg Parisit duke pirë kafen, mu kujtuan fjalët e tij, dhe qesha përsëri. Durimi dhe shpresa, ato që më bënë të përqëndrohesha dhe mos të hidhja hapin e keq. Kështu për aq kohë sa jetova atje mendoj asnjë vuajtje nuk arriti të më ç’njerëzojë, përkundrazi më përforcoi aq shumë sa kur emigracioni më hodhi rrugëve të Francës, nuk pata vështirësi integrimi edhe pse jeta nuk ishte e lehtë. Por kjo nuk ishte asgjë për mua. Thjesht momente që do kalonin. Në krahasim me ato që kalova në Shqipëri, këto ishin qesharake. Mësimi, sa më shpejt i çdo gjëje ishte çelësi kryesor i jetës. Në çdo moment, çdo gjë duhej kapur sa më shpejt, sepse nuk kisha kohe për të humbur. Në këtë mënyrë sot edukoj fëmijët e mi, duke i folur, duke i shpjeguar çdo gjë. Dëgjoj, kuptoj, mësoj! Tre gjera që nuk i kam harruar kurrë!