Gjatë konferencës së 8-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se progresi i Shqipërisë në rrugën europiane është bërë i mundur falë mbështetjes së fortë të qytetarëve shqiptarë dhe përkushtimit ndaj reformave.

Komisionerja europiane tha se BE mbështet vizionin e Shqipërisë për të mbyllur negociatat deri në vitin 2027 dhe, me nota humori, premtoi se nëse ky objektiv arrihet, do të ngjisë malin e Korabit së bashku me kryeministrin Edi Rama.

“Ne mblidhemi këtu sa herë që flasim për kapitujt. Por gjithçka që bëjmë e bëjmë për njerëzit. Kjo mbështetje kaq e lartë në vendin tuaj është udhëheqja më e mirë që mund të ketë vendi. Shqipëria po shfrytëzon këtë moment historik ku zgjerimi është edhe njëherë përparësi e BE-së. Nëse dikush e kupton se kjo derë mundësie nuk mund të jetë e hapur gjithmonë, ky është vendi juaj. Dhe duke kuptuar këtë ju mund të jeni të suksesshëm. Kur flasim për datën, ju thashë që mbështesim vizionin e Shqipërisë për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027 dhe pastaj do i ngjitem Korabit bashkë me kryeministrin. Kjo është e vetmja piketë mbyllëse që kam pasur sot”, tha ajo.

Sipas saj, Shqipëria po përfiton nga një moment historik për zgjerimin e Bashkimit Europian, ndërsa paralajmëroi se kjo mundësi nuk do të jetë e hapur përgjithmonë.

“Ky sukses është i mundur për shkak të mbështetjes së fortë të qytetarëve shqiptarë. Procesi i zgjerimit në të vërtetë, gjithçka që bëjmë e bëjmë për njerëzit. Kjo mbështetje kaq e lartë në vendin tuaj është udhëheqja më e mirë që mund të ketë vendi. Shqipëria po shfrytëzon këtë moment historik ku zgjerimi është përparësi e BE-së. Kush e kupton se kjo derë nuk mund të jetë e hapur gjithmonë, kjo është mundësia juaj”, u shpreh Kos.