Incidentet e së martës në veri të vendit kanë shtyrë EULEX-in që të shtojnë patrullat vëzhguese për të ruajtur qetësinë dhe sigurinë.

Në një përgjigje për Gazetën Express, EULEX thotë se në rast të rritjes së ndonjë tensioni në terren, mund të shtojnë edhe më shumë prezencën.

“Në varësi të zhvillimeve në terren, nuk mund të përjashtohet një rritje e mëtejshme në Njësinë Policore të Specializuar të EULEX-it. Ne tashmë i kemi rritur në mënyrë të konsiderueshme patrullat vëzhguese mobile të Njësisë Policore të Specializuar (NJPS) të EULEX-it në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, dhe po përpiqemi ta qetësojmë popullatën lokale përmes pranisë sonë të shtuar në pjesën veriore të Kosovës. Është e rëndësishme që të gjithë njerëzit nga të gjitha komunitetet të jenë të sigurt dhe të ndjehen të sigurt”.

EULEX thotë se që nga data 16 nëntor, përveç patrullave vëzhguese mobile të shtuara dukshëm, zyrtarët e Njësisë Policore të Specializuar dhe Njësisë Policore të Specializuar Rezervë të EULEX-it janë duke patrulluar në këmbë në të gjitha komunat veriore, gjegjësisht në Mitrovicën Veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

“Përveç NJPS-së, Këshilltarët e Lartë Policorë të EULEX-it në veri janë të bashkëvendosur në Drejtorinë Rajonale Veriu të Policisë së Kosovës dhe ofrojnë këshilla dhe mbështetje për Policinë e Kosovës në nivel të rajonit dhe stacioneve për një numër çështjesh që kanë të bëjnë me ofrimin e shërbimeve policore”, thuhet në përgjigje.

Herën e fundit kur pati frikë për eskalim të situatës në veri për çështjen e targave, EULEX ka përforcuar njësitë e saj rezervë me 23 xhandarë nga karabinierët italianë, me qëllim që t’i ofrojë ndihmë autoriteteve në Kosovë, nëse është e nevojshme.