Chelsea i Antonio Contes ka marrë një tjetër fitore, në takimin e parë të javës së 15, në Premier League, teksa ka mposhtur 3-1 Newcastle-in. Londinezët vijojnë ecurinë pozitive në javët e fundit, teksa me 3-pikëshin e sotëm kanë barazuar përkohësisht Manchester United-in, në vendin e dytë të renditjes.

Skuadra e Benitezit kaloi e para në avantazh, që në minutën e 12’ me anë të Gayle, por Chelsea u përgjigj menjëherë me sulmuesin dhe kapitenin Eden Hazard. Në minutën e 33-të, ishte radha e sulmuesit spanjoll Morata, që të shënonte golin e avantazhit për londinezët, ndërsa në pjesën e dytë, ishte sërish belgu Hazard, që shënoi golin e 3-të dhe vulosi rezultatin 3-1.

Premier League kryesohet bindshëm nga Manchester City me 40 pikë, i ndjekur nga United dhe Chelsea me 32, ndërsa në vendin e 4-t renditen Arsenal me 28.