Gjatë vizitës që po zhvillon në SHBA, presidenti Bujar Nishani dhe Zonja e parë janë pritur në një takim nga kreu i Shtëpisë së Bardhë Barak Obama dhe Zonja e parë e Amerikës. Nishani i dorëzoi Sekretarit të Përgjithshëm të OKB instrumentin e ratifikimit të Marrëveshjes së Parisit për Klimën, ndërsa zhvilloi edhe një takim me Presidentin e Kongresit Botëror Hebraik.

Presidenti Bujar Nishani dhe Zonja e Parë, Odeta Nishani kanë marrrë pjesë edhe në pritjen e dhënë nga Presidenti Barack Obama dhe Zonja e Parë e SHBA-së, Michele Obama.

Takimi u zhvillua në kuadër të pjesëmarrjes në punimet e Sesionit të 71-të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Para se të shtrëngonte duart me Kreun e Shtëpisë së Bardhë dhe Zonjën e parë, Presidenti Nishani mori pjesë në ceremoninë e Nivelit të Lartë për Hyrjen në Fuqi të Marrëveshjes së Parisit për Klimën, si dhe i dorëzoi Sekretarit të Përgjithshëm, krahas shumë krerëve të tjerë të shteteve, instrumentin e ratifikimit të kësaj marrëveshjeje nga Shqipëria, e cila ka si objektiv luftën kundër ndryshimeve klimatike, si dhe rakordimin e veprimeve dhe investimeve drejt një të ardhme me karbon të ulët, të qëndrueshme dhe përmirësim të aftësive ripërtëritëse.