Një shqiptar 19-vjeçar me emrin Adenajd Hoxha, humbi jetën pak kilometra larg shtëpisë, pasi pësoi aksident me makinë.

Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme në rrugën mes Coçaglio dhe Rovato, ku 19-vjeçari ishte në drejtimin e një makine tip “Ford Focus”, kur u përplas me një kamion.

Mësohet se Hoxha, për shkaqe që ende nuk janë përcaktuar, ka kaluar në korsinë e kundërt. Kamioni tip “Scania” është munduar që të shmangë përplasjen, por ka qenë e pamundur.

Pas përplasjes, “Ford”-i i shqiptarit ka vijuar lëvizen dhe është përplasur fuqishëm me një mur rreth 30 metra larg.

Siç duket edhe nga fotot, makina e shqiptarit ishte shkatërruar e tëra. Ai humbi jetën menjëherë si pasojë e plagëve shumë të mëdha.

Ndërkohë dje është shpërndarë lajmi për humbjen e jetës së 19-vjeçarit, lajm që ka shkaktuar dhimbje në tërë komunitetin shqiptar në Rovato. Adenajd Hoxha ishte student. Ai jetonte prej disa kohësh me familjen në Rovato.