AUSTRALI – Një gjykatë në Sidney, Australi shpalli sot vendimin se i zoti i cjapit, me emrin Gary, nuk e ka nxitur kafshën e vet për të ngrënë lulet në lulishten pranë godinës së Muzeut të Artit Bashkëkohor. 

Policia, më 22 gusht të vitit 2012, e gjobiti të zotin e cjapit, komedianin shëtitës James Dezarnaulds, me 440 dollarë për shkak se Gary hëngri lulet e lulishtes urbane. Pas gjobitjes Dezarnolds u drejtua në gjykatë për të kundërshtuar vendimin. Gjyqtarja e shpalli atë të pafajshëm, duke e argumentuar vendimin me faktin se së pari, cjapi do të preferonte më mirë akulloren dhe jo lulet, dhe së dyti, nuk ka asnjë provë bindëse që ai u nxit nga z. Dezarnaulds për kryerjen e “krimit”. 

James Dezarnaulds dhe cjapi i tij, i cili në seancën gjyqësore u paraqit me kapele në kokë dhe papion, mbetën të kënaqur me vendimin e gjyqtares.