Në terminalin e udhëtarëve të portit të Durrësit janë vendosur kamera termike për matjen në distancë të temperaturës së pasagjerëve si masë kundër përhapjes së Covid-19.
Sipas drejtorit të Përgjithshëm Ekekutiv të APD, Pirro Vengu, kjo pajisje identifikon në kohë të shpejtë temperaturën e trupi të qytetarëve që do të hyjnë dhe dalin nga porti.
“Këto kamera e përforcojnë monitorimin shëndetësor dhe në rast dyshimesh në bashkëpunim me njësinë epidemiologjike merren masa për karantinimin e personave të dyshuar. Sinjalistika është modifikuar. Duhet të mësohemi me kufizimin, mbajtjen e radhës, me përdorimin e hapësirave të jashtme të terminalit, duke lehtësuar edhe punën e personelit të sigurisë dhe mjekëve, që të mos kemi fluks më të madh se ç’na lejojnë protokollet shëndetësore.”, tha Vengu.
Me pajisjen e re dixhitale, puna është lehtësuar edhe për vetë mjekët e terminalit.
“Termometri mat temperaturën e pasagjerit në largësinë deri në 2.5 metra. Normalisht është shumë lehtësuese. Pasagjeri nuk e merr vesh që po i matet temperatura, mund të kalojë pa e kuptuar“, thotë mjeku Fahri Merollari.
I pranishëm në terminalin e portit ishte edhe prefekti i Qarkut, Roland Nasto për të inspektuar nga afër zbatimin e protokolleve shëndetësore.
Nasto bëri apel qytetarëve për kujdes të shtuar, ndërsa theksoi rëndësinë që ka zbatimi i masave si arma e vetme me të cilën mund të përballemi me virusin.
G.D.