Teuta kërkon të përsërisë historinë përballë Kukësit. Durrsakët duan vetëm fitoren ndaj rivalit direkt në luftën për zonën “Euro” dhe të gjithë janë të vetëdijshëm që mund t’ia dalin. Kujtojmë që në fazën e dytë “djemtë e detit” mposhtën minimalisht verilindorët në shtëpi. Këtë synojnë që të ndodhë edhe të shtunën, paçka se këtë herë do të presin një Kukës edhe më të “uritur”, i cili sapo mposhti kampionët në fuqi të vendit.

Arbër Çyrbja e ka të qartë se e lehtë nuk do të jetë, por kurrsesi e pamundur. Gjatë një deklarate, mesfushori e cilëson këtë si një finale të parakohshme, që duhet kaluar me çdo kusht. “Po vijojmë me përgatitjet për ndeshjen e radhës, atë që luajmë me Kukësin në shtëpi. Jemi të përkushtuar dhe për fat nuk jemi asnjë mungesë. Një tjetër faktor që na ndihmon është ana psikologjike, nuk jemi të ngarkuar, krahasuar me ndeshjen e fundit që luajtëm në Shkodër. Vinim pas një barazimi dhe përgjegjësia për të gjetur rrugën e kthesës ishte më e madhe. Shpresoj që këta faktorë të jenë në favorin tonë të shtunën.

Jemi duke u përgatitur me seriozitet, pa bërë llogari se me kë do luajmë apo të bëjmë krahasime me forcën e kundërshtarit. Detyra është e qartë, duhet të marrim maksimumin. Nuk bëj deklarata rreth objektivave, pasi nuk shohim dot më larg se Kukësi. Synimi kryesor është që të kalojmë këtë ndeshje. Kur kanë mbetur edhe 7 javë, ndihemi të kushtëzuar për të marrë maksimumin në çdo sfidë, në fund do të bëjmë llogaritë. Shpresoj që në ndeshjen e radhës ndaj Kukësit të luajmë shumë mirë dhe në fund të shohim rezultatin që do të marrim në fushën e blertë. E theksova edhe më lart që kundërshtari është i fortë dhe luan gjithçka për gjithçka. Por atë do të bëjmë edhe ne, nuk kemi rrugë tjetër”, përfundoi Çyrbja.

Sakaq, skuadra ka vijuar edhe dje përgatitjet me ngarkesë të lartë. Paradite dhe pasdite lojtarët janë vënë që të gjithë nën urdhrat e Maganit, i cili ka kërkuar përkushtim maksimal.