Arbër Çyrbja ka folur për ecurinë e fazës përgatitore të skuadrës së tij, duke theksuar se atmosfera në klub është shumë e mirë.Mesfushori sezonin e kaluar pësoi dëmtime të njëpasnjëshme dhe hasi vështirësi, por tashmë ai është gati për sezonin e ri dhe shprehet se kjo nuk e shton aspak presionin tek ai, përkundrazi shton vetëm motivin.

Arbër, si është situata e skuadrës në këto ditë përgatitjesh?

Është një situatë shumë e mirë dhe kemi goxha harmoni me njëritjetrin. Jemi duke u stërvitur shumë mirë, por kemi bërë dhe dy miqësore që na kanë shërbyer. Fokusi në këto ndeshje miqësore është që stafi të krijojë një ide për ndeshjen e kampionatit.

A jeni gati për të zbritur në fushë?

Kemi punuar shumë mirë dhe po bëjmë maksimumin për të qëndruar në formë. E përsëris, një ndërprerje e tillë nuk ka ndodhur më parë. Asnjë nuk mund të parashikojë atë që do të ndodhë. Do të ishte absurde të thuash që skuadra jote nuk është në formë, tashmë ka mbetur vetëm rifillimi i kampionatit, që me shume gjasa nis fundjavën e ardhshme.

Si e prisni ndeshjen me Kukësin?

Sipas meje, ndeshjet do të kenë ritëm të lartë. Do të ketë edhe momente të ndezura, por edhe momente të një qetësie të madhe, sepse e sigurt është se lojtarët kanë një ritëm të madh. Do të jetë një ndeshje me rivalitet, por përveç kësaj duhet parë me kohën se çfarë do të ndodhë.

Sezonin e kaluar hasët shumë vështirësi në aspektin personal, jeni gati tashmë?

Unë vjet kam kaluar një kalvar dëmtimesh. Në momentin tim më të mirë u dëmtova, ku qëndrova jashtë disa kohë, duke mos pasur formë stabël, por besoj që nga nisja e ndeshjeve, së bashku me klubin të kemi ngritje të formës.

Cili është objektivi i Teutës në këtë sezon?

Objektivi i skuadrës është të arrijmë të marrim tri pikët në ndeshjen e radhës, ky është minimumi që duhet të arrijmë. Duhet të bëjmë më të mirën për të arritur të ngjitemi sa më lart në renditje, pasi është herët të flasim për objektiva të tjerë, por do të shohim se çfarë do të ndodhë deri në fund.